Agron Qalaj: Po shprehem qartë dhe shqip, nuk largohem nga mbledhja, por nuk marrë pjesë në diskutim e as votim

Prishtinë | 01 Dhj 2025 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Derisa është kërkuar që ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj të largohet nga mbledhja e 279-të e Këshillit Prokuroria të Kosovës, ai tha se nuk do të largohet dhe se ai nuk do të marrë pjesë në votim, në diskutim e as në vendimmarrje, raporton Ekonomia Online.

Qalaj  tha se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm si anëtar ex-officio.

“Do të marrë pjesë në këtë takim në përputhje me ligjin. Nuk e kam fare mendjen me u marrë me asnjë pikë. Që ta keni të qartë ju lutem. Nuk do të përfshihem në diskutime e as në proces të vendimmarrjes që do të paraqiten sot, duke mbajtur qëndrim neutral deri në vendim. Po shprehem qartë dhe shqip nuk do të përfshihem në diskutime, votim dhe vendimmarrje. Andaj nuk preferoj të largohem në formën që duhet të largohem. Thoni çka të doni por unë nuk do të diskutojë”, tha Qalaj.

Ndërsa në fjalën e parë para Këshillit ai tha “I nderuar kryesues i Këshillit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtar, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”.

Të ngjashme