Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arjan Hajdaraj ka zbuluar prova për presionin e ushtruar ndaj prokurorëve në procesin e zgjedhjes së anëtares së re prokurore të KPK-së.
Hajdaraj, në mbledhjen e KPK-së të hënën, e lexoi një mesazh të një prokurori nga Prokuroritë Themelore, i cili është ankuar te u.d. Kryeprokurori i Shtetit për ushtrim ndikimi në procesin e përzgjedhjes.
Në mesazhin e lexuar nga Hajdaraj, prokurori, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, i thotë u.d. Kryeprokurorit se do të arsyetohet për mospjesëmarrjen e tij në procesin e zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së.
Kryesuesi Hajdaraj e ka kritikuar anëtarin aktual të KPK-së, prokurorin Arian Gashi, se është përpjekur të prolongojë procesin e certifikimit të raportit zgjedhor të anëtarit prokuror të KPK-së.
Prokurorët e Kosovës e zgjodhën Elza Bajramin për anëtare të KPK-së në një votim para rreth një muaji. Por, procesi dyshohet se është zhvilluar me vendosjen nën presion dhe ushtrim ndikimi te prokurorët.
Hajdaraj ka thënë se gjatë procesit të zgjedhjes së anëtarit të KPK-së ka pasur favore për prokurorët në këmbim të votës së tyre për kandidaten Elza Bajrami.
“Tash shihet qartë se kjo është bërë për prolongimin e kësaj çështje. Edhe kandidatja që ka bërë kërkesë për t’u shqyrtuar për përgjigje nga KPK-ja. Situata ligjore është e qartë: Nuk ka certifikim të kandidatit pa u certifikuar raporti zgjedhor. Unë tash e kuptoj pse prokurori Arian hezitoi ta shqyrtoi raportin zgjedhor sepse opinioni e kupton qartë rolin e tij në këtë proces. Por dua të shtoj se këta anëtarë që thonë se procesi është i mirë premtuan favore, sepse kemi informata nga prokuror, që lidhen me avancimin e tyre dhe po ashtu amnistuan prokurorë nga procedura disiplinore, me të vetmin favor për të siguruar votat në favor të tyre”, tha Hajdaraj.
“Në takimin e kaluar, duke u shqyrtuar ankesa e njërës kandidate, nga gjysma e anëtarëve – pesë sa ishim – u pezullua edhe rregullorja për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, që konsiderojmë se nuk është në përputhje me Ligjin. Unë tregoj se këtë rregullore nuk e kam votuar, por kam abstenuar”, tha ai.
Hajdaraj lexoi mesazhin e një prokurori që pretendon se i është ushtruar presion nga një strukturë brenda sistemin prokurorial.
“Në vazhdën e shkeljeve, unë dua të bëj të ditur një mesazh që ia ka dërguar një prokuror, Kryeprokurorit dhe po ua lexoj tekstualisht: ‘Përshëndetje Kryeprokuror, hiç mos të vjen keq, unë ua jap arsyetimin dhe ta dërgoj ditën e hënë. Do të vi ditën e hënën, kur të vi në Pejë e sheh sa herë më ka thirrë për me shku dhe votu kandidatin e tij. Veç deshta t’ia rikujtoj Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe asesi nuk është obligim, me logjikën e tij edhe qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet t’i dënojmë. Ky është mesazhi që e ka konfirmu edhe eprori i këtij prokurori”, e lexoi Hajdaraj, mesazhin e prokurorit.
Kandidatja Elza Bajrami, që mori më së shumti vota, e ka kërkuar përjashtimin e kryesuesit Hajdaraj nga mbledhja ku do të shqyrtohet raporti i zgjedhjes së saj në KPK, ndërsa kandidatja Merita Kurtishi përjashtimin e Arian Gashit.
Në votim, anëtarët e KPK-së e kanë refuzuar raportin e procesit zgjedhor të anëtares së re.
