Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar për një rast të mbajtjes së paautorizuar të armës, i cili është evidentuar të hënën mbrëma në rrugën “Latif Hasani”.
“Sot rreth orës 18:00, patrulla policore ka ndalur një veturë me targa të huaja gjatë patrullimit rutinë,” thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur në një çantë dore një armë të tipit pistoletë, e cila sipas policisë “është konfiskuar menjëherë”.
Po ashtu, policia ka konfiskuar edhe veturën, pasi “ishte në qarkullim pa regjistrim të rregullt”.
Personi i dyshuar A.Sh., 59 vjeç, është shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme.
“Hetuesit e rastit kanë njoftuar prokurorin e shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore,” ka bërë të ditur policia.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.