Rizvanolli mohon se zyrtarë të Qeverisë dhe LVV kanë lidhje me EFT: Është komplet gënjeshtër

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar që ndonjë zyrtarë i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje me kompaninë EFT, dhe se Kosova nuk ka importuar energji elektrike nga EFT, raporton Ekonomia Online.

Ajo në një konferencë për media tha se raportimet për këto janë të pavërteta, apo siç tha, janë gënjeshtra.

“Ju kam ftuar për të adresuar një sërë të pavërtetash që kanë qarkulluar që një kohë dhe kanë kulmuar gjatë javëve të fundit në lidhje me sektorin e energjisë. E para, po thuhet disi se Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të lidhura me kompaninë EFT. Dua ta them qartë: asnjë zyrtar i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-ën. Është komplet gënjeshtër. E dyta; po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë, edhe kjo është komplet gënjeshtër. E treta; po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare, të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energjinë transit në shtete tjera përmes kufijve energjetikë të Kosovës, për të krijuar bindjen se Kosova po blen nga EFT, që është pra komplet gënjeshtër. E katërta; po flitet për temën e importit të energjisë, thuajse është Qeveria ajo që blen energji. Në fakt, dua t’iu rikujtoj që Qeveria nuk blen energji fare, ndërsa pjesa dërmuese në Kosovë blihet nga KEDS dhe KESCO për furnizim dhe humbje në rrjet, respektivisht. Këto kompani, siç e dini, janë privatizuar, para se më dhjetë vjetësh”, tha ajo.

Rizvanolli ka theksuar se Qeveria nuk është përgjegjëse për licencim të kompanive as për mbikëqyrjen e tregut e energjisë elektrike, megjithatë thotë se tashmë është e konfirmuar që gjatë qeverisjes së tyre nuk ka asnjë kontratë me EFT.

Së pari dua që ta keni parasysh që ne si Qeveri nuk jemi përgjegjës për licencimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut e energjisë elektrike dhe njëkohësisht nuk posedojmë kontrata e tregtimit të energjisë së kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë vet dhe rregullatori ZRRE. Megjithatë me qëllim të mirinformimit të publikut ne i kemi kontaktuar kompanitë për këtë çështje dhe ndërmarrjet publike KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT. Për më tepër edhe ndërmarrjet private KESCO e KEDS kanë konfirmuar të njëjtën që nuk kanë pasë asnjë kontratë me EFT gjatë qeverisjes sonë”, tha Rizvanolli.

Edhe deklaratat se me 28 nëntor Kosova importoi energji elektrike nga EFT, Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta.

“Përkundër kësaj për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT në publik janë plasuar disa rezultatet të  ankandeve për shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi e blerjeve të  operatorëve në Kosovë nga EFT, që në fakt nuk janë. Çfarë tregojnë të dhënat nga Zyra e Ankandeve të Koordinuara të Evropës Juglindore. Të dhënat tregojnë kush ka blerë kapacitet ndërkufitare, pra kush ka blerë të drejtën për të shfrytëzuar linjat në kufijtë e Kosovës për të bartur energji. Ju kanë treguar se me 28 nëntor EFT ka bartur energji nga Mali i Zi në Kosovë dhe nga Maqedonia në Kosovë, mirëpo Kostt i ka analizuar të gjitha të dhënat e plota, të detajuara dhe ka konstatuar se e tërë energjia që ka hyrë në Kosovë nga EFT edhe ka dalë nga Ksova, pra EFT e ka shfrytëzuar rrjetin vetëm për tranzit dhe asnjë megavat nuk ka mbetur në Kosovë, pra, kjo i bie sikur malli i një kompanie me pronar serb që hynë nga Mali i Zi dhe kalon nga Kosova në Maqedoni të Veriut dhe shitet në Maqedoni të Veriut, të quhet import i Kosovës nga Serbia që është komplet e pabazë dhe e pasaktë. Megjithëse të dhënat e publikuara nuk kanë të detajuara siç i ka KOSTT si operator i rrjetit dhe tregut, kushdo që do përnjëmend me pa se çfarë po ndodhë, si minimum i sheh edhe daljet e energjisë kur i sheh hyrjet.  Po besoj që krejt ata që falsin për këtë temë ju kanë tregu qysh EFT ka ble kapacitet me fut energjinë në Kosovë, por kanë zgjedh me injoru faktin që po në këtë datë EFT ka ble kapacitet edhe për me nxjerrë energjinë nga Kosova”, deklaroi Rizvanolli.

RIZVANOLLI E MOHON SE QEVERIA DHE LVV KANË LIDHJE ME NOA-N: AJO ERDHI NË KOSOVË NË 2018-ËN

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar po ashtu që Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje ka lidhej me NOA-n, për cka tha se ajo ka ardh në Kosovë në 2018-ën, raporton Ekonomia Online.

Rizvanolli u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë cdo akterë të tregut të energjisë për shkelje apo manipulime eventuale.

“Nuk mund të spekulojë mbi këtë kompani. Por çfarë mund të them se NOA-n nuk e kemi sjell ne. Sic e keni pa nga kontratat që i ndau kolegu im para disa ditësh Armend Muja, NOA ka ardh në Kosovë në 2018-tën dhe çfarë është më e rëndësishme se kjo, sikurse që thash edhe për EFT e njëjta vlen edhe  për NOA, asnjë zyrtarë i Qeverisë së Kosovës dhe i lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me NOA . Si Qeveri ne mirëpresim dhe inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse të hetojnë deri në fund çdo aspekt dhe çdo akterë të tregut të energjisë dhe të shkeljeve ose manipulimeve eventuale që mund të kenë ndodhur nëse ka të tilla”, tha ajo.

Sa i përket licencimit të EFT, ajo ka sqaruar duke thënë se dega në Kosovë është licencuar më vonë.

“Nuk është e saktë që thashë që është licencuar gjatë qeverisjeve të kaluara, thashë që ka hyrë në tregun e Kosovës. Po besoj që dega në Kosovë është licencuar në Kosovë më vonë, ndërsa si kompani, kompania amë ka hyrë edhe më herët. Kjo pa paragjykuar për praktikat ose çfarëdo në lidhje me këtë kompani, që unë nuk kam informata më shumë sesa që keni ju ose që janë publike”, tha ajo.

 Rizvanolli ka tentuar që ta sqarojë tregtimin e kapaciteteve ndërkufitare, ndonëse nuk ka preferuar të hyjë në çështje teknike.

Në konferencën në qershor unë kam folur dhe KOSTT e ka shpjeguar mënyrën e tregtimit të kapaciteteve ndërkufitare. Nuk do të hy në çështje teknike, por janë disa aspekte të rëndësishme për t’u kuptuar. Kosova, si palë e komunitetit të energjisë, ka obligime ndërkombëtare për t’i bërë në dispozicion kapacitetet e veta ndërkufitare në kufijtë energjetikë me shtete të tjera për të gjitha palët e licencuara të cilat kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand. Ankandet nuk organizohen nga ndonjë institucion i Kosovës, është qendra rajonale që ka selinë në Mal të Zi, ku anëtar janë të gjitha shtetet e rajonit, dhe aksionar, një ndër ta është edhe KOSTT i Kosovës, dhe aty miratohen rregullat e përbashkëta se si bëhen ankandet dhe kjo është platformë elektronike dhe gjithçka është e menaxhuar në mënyrë qendrore dhe transparente. Se a mund të ketë manipulime, janë çështje të tjera. Sa i përket formës së tregtimit dhe rolit të institucioneve kosovare, kjo është kjo. Problemi me linjën me Serbinë që kemi: për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe KOSTT-in dhe pavarësinë energjetike të rrjetit tonë, refuzon që t’i alokojë këto kapacitet dhe ta bëjë këtë bashkëpunim teknik me KOSTT, dhe këto linja qëndrojnë të bllokuara”, shpjegon Rizvanolli.

Rizvanolli është përgjigjur edhe sa i përket asaj pse Qeveria nuk po merr veprime për ta ndalur blerjen nga ky operator.

“Duhet me bo një dallim tepër të madh. Në kohën kur kryeministri dhe LVV kanë folur atëherë, kanë qenë kompanitë e Kosovës, për më tepër ndërmarrje publike; as private nuk kanë qenë, madje me kontrata njëburimore siç u thonë partitë opozitare kanë zgjedhur për të blerë nga një kompani e Serbisë, ndërkohë që përderisa po flasim nuk ka asnjë operator në Kosovë që blen nga kjo kompani, ndërsa ata blejnë kapacitete përmes platformave që janë të menaxhuara nga një qendër rajonale dhe i nënshtrohen rregullave të tregtimit që vlejnë për krejt rajonin dhe Evropën. Nëse duam të flasim për atë se duam ta bëjmë politikisht si shtet të ndalojmë këtë, atëherë kjo do të thotë që ne duhet të shqyrtojmë potencialisht pjesëmarrjen nëpër mekanizmat e integrimit rajonal të tregut të energjisë elektrike. Kjo është çështje politike nëse duam të shkojmë andej. Sa i përket raportimit të KOSTT dhe ZRRE, të dyja raportojnë në Kuvend, dhe siç e dini prej se kemi të bëjmë me këtë, ne nuk kemi Kuvend të konstituar. Më vjen shumë keq dhe nuk mund të mos përmend faktin dhe ironinë që është partia opozitare që flet e akuzon për këtë çështje, kur nuk ka qenë ajo që ka qenë faktori për bllokimin e Kuvendit dhe për komisionet parlamentare që do ta mundësonin që institucionet relevante të ftohen për përgjegjësitë e tyre”, tha Rizvanolli.

Ajo nuk e pa asnjë dyshim sa i përket kompanisë GEN që ka lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Po më thoni që për 9 apo 11 kompanive që fitojnë ju e zgjidhni faktin me i zgjedh tri për të cilat nuk ka asnjë fakt për ndërlidhje të LVV me ta dhe janë kompani të mëdha në rajon që po fitojnë tendera për bartjen e kapaciteteve në një platformë të koordinuar në një mekanizëm që është rajonal, s’ka të bëjë asgjë me Kosovën, dhe e quani këtë të dyshimtë. Eksperte e tregut të energjisë nuk jam e as nuk e hetoj, por me kaq që më thoni nuk më duket bazë për dyshim. Po flas si qytetare. Nëse keni pyetje të tilla, besoj që ZRRE apo ata që janë me të vërtetë ekspert mund të përgjigjen në këtë çështje”, theksoi Rizvanolli.

RIZVANOLLI RIKTHEN ÇËSHTJEN E FILTERIT DHE BOJLERIT

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa krenohej me investimin e Qeverisë të kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) përmendi çështjen e filterit e bojlerit, raporton Ekonomia Online.

“KEK-u sivjet e ka realizuar investimin më të madh në mbi 40 vite, qysh kur është ndërtuar Termocentrali ‘Kosova B’. KEK ka përfunduar modernizimin e turbinës së bllokut ‘B2’ të termocentralit ‘Kosova B’ dhe një sërë investimesh përcjellëse aty. Dhe si rezultat, kapaciteti i ‘B2’ është rritur për 35 MË, jetëgjatësia e këtij blloku është rritur për 20 vite dhe ndotja për megavat-orë të prodhuar është ulur për 12 për qind. Kjo kontratë rreth 56 milionë euro është nënshkruar në 2023. Ju përkujtoj që ky është investimi i parë serioz në KEK pas luftës, ndonëse aty janë investuar së paku me letra 1 miliard euro ose më shumë para qeverisjes sonë. Ndoshta keni parë që BE para disa ditësh ka konfirmuar se, pas plotësimit të kushteve teknike e ligjore, projekti për vendosjen e filtrave për pluhur e okside azoti do të fillojë në prill të vitit 2026. Nëse ju kujtohen diskutimet për bojler e filtër që u patën bërë meme në atë kohë, puna në bojler ka qenë parakusht, por besoj që pjesa që nuk e dini është që këtë parakusht KEK-u e ka përfunduar në 2023, pra delaminimin e bojlerëve, dhe kjo ka qenë një arsye që në 2023 ka pasur prodhim më të ulët nga KEK, sepse është dashur të ndalen nga tre muaj blloqet për t’i bërë këto intervenime”, deklaroi Rizvanolli.

Të ngjashme