Rizvanolli e mohon se Qeveria dhe LVV kanë lidhje me NOA-n: Ajo erdhi në Kosovë në 2018-ën

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar po ashtu që Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje ka lidhej me NOA-n, për cka tha se ajo ka ardh në Kosovë në 2018-ën, raporton Ekonomia Online.

Rizvanolli u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë cdo akterë të tregut të energjisë për shkelje apo manipulime eventuale.

“Nuk mund të spekulojë mbi këtë kompani. Por çfarë mund të them se NOA-n nuk e kemi sjell ne. Sic e keni pa nga kontratat që i ndau kolegu im para disa ditësh Armend Muja, NOA ka ardh në Kosovë në 2018-tën dhe çfarë është më e rëndësishme se kjo, sikurse që thash edhe për EFT e njëjta vlen edhe  për NOA, asnjë zyrtarë i Qeverisë së Kosovës dhe i lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me NOA . Si Qeveri ne mirëpresim dhe inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse të hetojnë deri në fund çdo aspekt dhe çdo akterë të tregut të energjisë dhe të shkeljeve ose manipulimeve eventuale që mund të kenë ndodhur nëse ka të tilla”, tha ajo.

Sa i përket licencimit të EFT, ajo ka sqaruar duke thënë se dega në Kosovë është licencuar më vonë.

“Nuk është e saktë që thashë që është licencuar gjatë qeverisjeve të kaluara, thashë që ka hyrë në tregun e Kosovës. Po besoj që dega në Kosovë është licencuar në Kosovë më vonë, ndërsa si kompani, kompania amë ka hyrë edhe më herët. Kjo pa paragjykuar për praktikat ose çfarëdo në lidhje me këtë kompani, që unë nuk kam informata më shumë sesa që keni ju ose që janë publike”, tha ajo.

 Rizvanolli ka tentuar që ta sqarojë tregtimin e kapaciteteve ndërkufitare, ndonëse nuk ka preferuar të hyjë në çështje teknike.

Në konferencën në qershor unë kam folur dhe KOSTT e ka shpjeguar mënyrën e tregtimit të kapaciteteve ndërkufitare. Nuk do të hy në çështje teknike, por janë disa aspekte të rëndësishme për t’u kuptuar. Kosova, si palë e komunitetit të energjisë, ka obligime ndërkombëtare për t’i bërë në dispozicion kapacitetet e veta ndërkufitare në kufijtë energjetikë me shtete të tjera për të gjitha palët e licencuara të cilat kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand. Ankandet nuk organizohen nga ndonjë institucion i Kosovës, është qendra rajonale që ka selinë në Mal të Zi, ku anëtar janë të gjitha shtetet e rajonit, dhe aksionar, një ndër ta është edhe KOSTT i Kosovës, dhe aty miratohen rregullat e përbashkëta se si bëhen ankandet dhe kjo është platformë elektronike dhe gjithçka është e menaxhuar në mënyrë qendrore dhe transparente. Se a mund të ketë manipulime, janë çështje të tjera. Sa i përket formës së tregtimit dhe rolit të institucioneve kosovare, kjo është kjo. Problemi me linjën me Serbinë që kemi: për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe KOSTT-in dhe pavarësinë energjetike të rrjetit tonë, refuzon që t’i alokojë këto kapacitet dhe ta bëjë këtë bashkëpunim teknik me KOSTT, dhe këto linja qëndrojnë të bllokuara”, shpjegon Rizvanolli.

Rizvanolli është përgjigjur edhe sa i përket asaj pse Qeveria nuk po merr veprime për ta ndalur blerjen nga ky operator.

“Duhet me bo një dallim tepër të madh. Në kohën kur kryeministri dhe LVV kanë folur atëherë, kanë qenë kompanitë e Kosovës, për më tepër ndërmarrje publike; as private nuk kanë qenë, madje me kontrata njëburimore siç u thonë partitë opozitare kanë zgjedhur për të blerë nga një kompani e Serbisë, ndërkohë që përderisa po flasim nuk ka asnjë operator në Kosovë që blen nga kjo kompani, ndërsa ata blejnë kapacitete përmes platformave që janë të menaxhuara nga një qendër rajonale dhe i nënshtrohen rregullave të tregtimit që vlejnë për krejt rajonin dhe Evropën. Nëse duam të flasim për atë se duam ta bëjmë politikisht si shtet të ndalojmë këtë, atëherë kjo do të thotë që ne duhet të shqyrtojmë potencialisht pjesëmarrjen nëpër mekanizmat e integrimit rajonal të tregut të energjisë elektrike. Kjo është çështje politike nëse duam të shkojmë andej. Sa i përket raportimit të KOSTT dhe ZRRE, të dyja raportojnë në Kuvend, dhe siç e dini prej se kemi të bëjmë me këtë, ne nuk kemi Kuvend të konstituar. Më vjen shumë keq dhe nuk mund të mos përmend faktin dhe ironinë që është partia opozitare që flet e akuzon për këtë çështje, kur nuk ka qenë ajo që ka qenë faktori për bllokimin e Kuvendit dhe për komisionet parlamentare që do ta mundësonin që institucionet relevante të ftohen për përgjegjësitë e tyre”, tha Rizvanolli.

Ajo nuk e pa asnjë dyshim sa i përket kompanisë GEN që ka lidhje me ambasdorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Po më thoni që për 9 apo 11 kompanive që fitojnë ju e zgjidhni faktin me i zgjedh tri për të cilat nuk ka asnjë fakt për ndërlidhje të LVV me ta dhe janë kompani të mëdha në rajon që po fitojnë tendera për bartjen e kapaciteteve në një platformë të koordinuar në një mekanizëm që është rajonal, s’ka të bëjë asgjë me Kosovën, dhe e quani këtë të dyshimtë. Eksperte e tregut të energjisë nuk jam e as nuk e hetoj, por me kaq që më thoni nuk më duket bazë për dyshim. Po flas si qytetare. Nëse keni pyetje të tilla, besoj që ZRRE apo ata që janë me të vërtetë ekspert mund të përgjigjen në këtë çështje”, theksoi Rizvanolli.

Të ngjashme