Grupi për siguri dhe barazi gjinore dënon gjuhën seksiste të përdorur ndaj grave në jetën politike dhe bën thirrje për masa më të forta mbrojtëse

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Grupi shumëpalësh për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG/GSBGj) shpreh shqetësim të thellë për gjuhën degraduese dhe seksiste të drejtuar javën e kaluar ndaj një përfaqësuese të zgjedhur. Një retorikë e tillë është e papranueshme. Ajo minon pjesëmarrjen demokratike, forcon pabarazitë strukturore dhe normat patriarkale, dhe dobëson përpjekjet për të parandaluar dhunën ndaj grave në politikë dhe në jetën publike. Për më tepër, kjo retorikë dëmton cilësinë e diskursit publik dhe dekurajon gratë të hyjnë ose të vazhdojnë angazhimin e tyre në pozita udhëheqëse politike.

Ndërsa Kosova shënon 16Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore rikujton se Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), e zbatueshme drejtpërdrejt në Kosovë, si dhe Ligji i Kosovës për Barazi Gjinore, mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave për trajtim të barabartë dhe të dinjititetshëm, duke garantuar mbrojtje nga çdo formë diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, si dhe nga gjuha e urrejtjes.

Kodi Penal i Kosovës e kriminalizon ngacmimin, duke përfshirë dhe ngacmimin seksual, të sanksionuar më tej edhe në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 08/L-185.

GSBGj gjithashtu rikujton angazhimet e marra nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës përmes nënshkrimit të Deklaratës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe në Jetën Publike në Kosovë, e cila bën thirrje për komunikim të respektueshëm dhe dinjitoz, si dhe tolerancë zero ndaj ngacmimit, intimidimit apo gjuhës së urrejtjes të drejtuar ndaj grave në jetën politike dhe publike. Gjuha seksiste, ngacmuese apo diskriminuese nuk duhet të tolerohet.

GSBGj u bën thirrje të gjithë zyrtarëve publikë dhe akterëve politikë të demonstrojnë udhëheqje që mbron dinjitetin, duke u përmbajtur nga gjuha seksiste apo degraduese dhe duke promovuar një mjedis publik të sigurt dhe me respekt për gratë. Ne i nxisim institucionet të mbajnë përgjegjës autorët në përputhje me kornizën ligjore dhe të sigurojnë që ngacmimi, përfshirë atë verbal dhe politik, të trajtohet me të njëjtin nivel serioziteti si format e tjera të dhunës me bazë gjinore.

GSBGj do të vazhdojë të mbështesë institucionet në forcimin e mekanizmave që mbrojnë gratë në jetën politike dhe publike dhe që sigurojnë llogaridhënie për çdo sjellje që cenon këto angazhime.

Të ngjashme