Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëherit kryetar i BDI-së në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup ka thënë se procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të marrë epilogun e pafajësisë dhe se UÇK dënonte çdo veprim fashist, raporton Ekonomia Online.
Ai përmendi veprimet e Millosheviqit që thoshte “vrisni shqiptarët”, por ka theksuar se nuk duan që akuzat që bëhen për Shtëpinë e Verdhë, dhe ku UÇK-në e quajnë ndërmarrje të përbashkët kriminale ta njollosin historinë e luftës çlirimtare.
“Unë i takoj lëvizjes studentore të vitit 1981, i takoj asaj lëvizjeje që nuk kërkonte t’ua merrte e t’ua mohonte lirinë të tjerëve, por liri e drejtësi kërkonte për shqiptarët. Shpërblimi ishin torturat, vrasjet, burgosjet, gjakosjet, njollosja e lëvizjes, e rinisë studentore të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, me fyerjet më të mëdha: terroristë, kriminelë, banditë. Dhe, çka është më e keqja, thuhej kundër Lëvizjes Studentore; vazhdoi i tërë shtypi me vite, çdo shqiptar që kërkonte drejtësi e barazi njollosej e gjakosej. Ne besojmë në drejtësi. Ne jemi ata të cilët vëzhgonim çdo lëvizje në hapësirat shqiptare. Me të dalë njësitë e para të rezistencës, dolën qëndrimet më njerëzore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se ushtria do t’i respektojë të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Respektoi vendimin se një ushtri guerile duhet të dallohet dhe vendosi simbolin e vet që e dallonte se kush është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rregull ndërkombëtar i respektuar nga UÇK-ja. UÇK-ja dënonte çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile. Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpalli veten ushtri të popullit, vullnetare, që lufton për lirinë e popullit të vet. Është një e vërtetë e madhe që objektivin final nuk ia arritëm për ta ndërtuar hierarkinë, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për Shtëpinë e Verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, ta njollosin historinë e luftës çlirimtare dhe bijtë e bijat më të mira të kombit shqiptar. Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe ushtarët që ndodhen pas këtyre grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Tërë procesin e kemi përcjellë; mbase na dridhej lëkura në shtrat kur dëgjonim akuzat që na i kishte bërë Beogradi e Moska si terroristë, kriminelë e banditë”, tha Ahmeti.
Ai tha se veç lirinë e dashtën.
“Ne kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popujve të tjerë. UÇK-ja nuk ka qenë kundër asnjë populli, e as kundër popullit serb. Demonstrata sot nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, sepse mu këta që ndodhen në këtë gjykatë kanë kontribuar në stabilitetin, paqen dhe ardhmërinë e këtij shteti, sepse kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme”, tha tutje ai.
Ahmeti ka thënë se ish-krerët e UÇK janë patriot të cilët duhet të lavdërohennga Gjykata e jo të gjykohen për vepra të pabëra.
“Në pyetjen e gjeneral Clark si do e zgjedhësh problemin? Si gjithmonë i si kemi vra do t’i vrasim përsëri. Kjo është politikë fashiste, naciste e ta quajmë si të duam ku përpara një gjenerali të NATO-së, Millosheviqi thotë dimë ne si i rregullojmë shqiptarët. “Do i vrasim që të gjithë”. Këta njerëz e luftëtarë nuk janë përgjegjës për vepra që nuk i kanë bërë janë angazhuar për lirinë e popullit vet dhe për t’iu kundërvë politikave shfarosje të Millosheviqit. Ne kërkojmë liri për çlirimtarët sepse libri i verdhë është me na shkel e me na mohu historinë më të re dhe më krenare e më të fortë të shqiptareve. Historinë e UÇK-së, historinë e shtetit të pavarur të Kosovës se na qenka bërë shtet me luftë e angazhim të kriminelëve e tërë konceptimi është aty që djemtë, ushtarët dhe drejtues të shtetit të Kosovës akuzohen për vepra të pabëra. Prandaj, kërkojmë nga trupi gjykues ata janë pjesëtarë të popullit që kanë luftuar edhe vet për lirinë e popullit të vet. Trashëgimtarë të atyre janë. Janë pjesëtarë që kanë luftu e punu për demokraci. Ata janë patriot, prandaj udhëheqësit e Kosovës duhet t’iu jepet mirënjohje e lëvdata nga kjo gjykatë e jo të dënohen për vepra të pabëra” , tha Ahmeti.
