Bujqësia shqiptare pritet të hyjë në një fazë të re zhvillimi, e mbështetur nga një rritje e ndjeshme e fondeve publike dhe nga instrumente të reja financimi, në funksion të afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Kjo u theksua nga Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zgjeruar me rreth 1500 fermerë dhe sipërmarrës ruralë nga e gjithë Shqipëria, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Rama vuri theksin te rritja e buxhetit për sektorin bujqësor, si dhe te nevoja për bashkëpunim më të ngushtë mes fermerëve, pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e reja të financimit. Ai nënvizoi se Shqipëria ka kaluar nga faza e mbijetesës në bujqësi, drejt një modeli më të organizuar, të orientuar nga eksporti dhe cilësia.
“Qeveria do të rrisë ndjeshëm mbështetjen financiare për bujqësinë në vitin 2026, me një buxhet rekord prej 16.3 miliardë lekësh, gati dyfish më i lartë në skemën kombëtare, ndërsa pagesat direkte për fermerët do të mbyllen 100% brenda këtij viti”, deklaroi Kryeministri.
Rama theksoi se përveç buxhetit të shtetit, fermerët kanë në dispozicion edhe burime të tjera financimi, përfshirë fondet europiane, linjën e re të kreditimit të Bankës së Shqipërisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi, AgroKreditin, si dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit që pritet të finalizohet së shpejti.
Një rol kyç, sipas tij, do të luajë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, përmes dijes, kërkimit shkencor dhe asistencës në ndërtimin e projekteve konkrete. Kryeministri u bëri thirrje fermerëve të bashkohen, të krijojnë ndërmarrje të përbashkëta dhe të fokusohen te cilësia, si e vetmja mënyrë për të konkurruar me sukses në tregun europian.
Sipas Ramës, katër vitet e ardhshme janë vendimtare për ta bërë bujqësinë shqiptare gati për standardet e BE-së dhe për ta kthyer atë në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik.