Tahiri: 10 ditët e ardhshme do të përcaktojnë 10 vitet e ardhshme të Kosovës

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ditët në vijim janë vendimtare për të ardhmen e vendit, duke theksuar se zgjedhjet do të përcaktojnë drejtimin e Kosovës për një dekadë të tërë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri ka kritikuar qeverisjen e viteve të fundit, duke thënë se vendi ka humbur kohë të çmuar.

“10 ditët e ardhshme do të përcaktojnë 10 vitet e ardhshme të Kosovës! Pesë vitet e fundit u humbën në përçarje dhe kaos”, ka shkruar ai.

Sipas Tahirit, Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe një drejtim të qartë zhvillimor.

Ai ka theksuar se një qeveri e re, e udhëhequr nga Bedri Hamza, do të sjellë ndryshimin e nevojshëm.

“Kosova ka nevojë për stabilitet dhe drejtim të qartë. Qeveria e re, e udhëhequr nga Bedri Hamza, do të punojë për ta rikthyer vendin në rrugën e zhvillimit dhe të shpresës”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se ky mesazh iu është përcjellë edhe mbështetësve të PDK-së në Prishtinë, para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore.

“Ky ishte edhe mesazhi im sot për mbështetësit tanë në Prishtinë, para nisjes zyrtare të fushatës”, ka shkruar Tahiri, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Bashkë. Përpara!”.

Të ngjashme