SPAK i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut për ta arrestuar

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur sot, 16 dhjetor, kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në njoftimin zyrtar, theksohet se kërkesa konsiston në dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së ministres së Energjisë e Infrastrukturës, njëherësh deputete dhe numri dy i qeverisë.

Ashtu si më herët, SPAK argumenton se Balluku është e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.

Të ngjashme