Në Tiranë nënshkruhet marrëveshje historike për bashkëpunim ekonomik mbarëshqiptar

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Në Tiranë është nënshkruar sot një marrëveshje historike për bashkëpunim ekonomik kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet organizatave kryesore shqiptare të biznesit, raporton nga ngjarja. Marrëveshja është nënshkruar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, Unioni i Afaristëve “Vizioni–PMB” dhe Forumi i Bizneseve Ulqin.

Sipas nënshkruesve, marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e shkëmbimeve tregtare mes bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe bashkimin e kapaciteteve intelektuale dhe kapitale për të përshpejtuar integrimin drejt ekonomisë së lirë të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se marrëveshja përfaqëson një hap historik për organizatat ekonomike kombëtare.

“Sot po bëjmë histori duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes përfaqësuesve të pesë shteteve. Qëllimi ynë është rritja e shkëmbimeve tregtare, bashkimi i mendjes dhe kapitalit dhe ecja më e shpejtë drejt ekonomisë së lirë evropiane. AKB merr përgjegjësinë që të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e bizneseve dhe punëtorëve të të gjitha kompanive që vijnë nga këto shtete në Kosovë, pranë institucioneve shtetërore dhe administrative”, u shpreh Shahini.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, deklaroi se bashkimi ekonomik është i domosdoshëm në rrugëtimin drejt BE-së.

“Ne jemi në rrugëtimin e ekonomisë drejt Bashkimit Evropian dhe kemi nevojë për një bashkim të fortë ekonomik kombëtar për të rikuperuar hapat e humbur krahasuar me vendet e tjera. Kjo marrëveshje përfaqëson një fuqi dhe energji të re ekonomike e biznesore për Ballkanin Perëndimor”, tha Jaka.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, Nuhi Aliu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare, duke deklaruar: “Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë për bashkëpunim kombëtar mes bizneseve tona”.

Ndërkaq, kryetari i Unionit të Bizneseve të Luginës së Preshevës, Xhelal Mehmeti, vlerësoi marrëveshjen si mbështetje të rëndësishme për rajonin.

“Kjo marrëveshje është një mbështetje e madhe për Luginën e Preshevës dhe bizneset tona. Po realizohet një ëndërr për fuqizimin ekonomik kombëtar”, tha Mehmeti.

Edhe kryetari i Forumit të Bizneseve Ulqin, Nazif Cungu, deklaroi se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për zhvillimin e bizneseve.

“Bizneset tona nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë rajonit. Jemi të kënaqur që nga ky moment jemi bashkë në këtë rrugë të përbashkët”, u shpreh ai.

Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e Bordit të Forumit Mbarëshqiptar, Nebi Hoxha, Nagip Fejzi, Mendi Qyra, Besim Beqaj, Gjokë Uldedaj, Vullnet Haka, si dhe Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Të ngjashme