Vota si besim dhe përgjegjësi, jo si pazar e korruptim

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 15:12 | Nga Arif Ejupi

Qytetarët e Republikës së Kosovës, si pasojë e mosmarrëveshjeve të partive politike për krijimin e Qeverisë dhe Parlamentit, janë të detyruar që më 28 dhjetor të këtij fundviti të dalin sërish në votime.

Secili qytetar me të drejtë vote duhet të tregojë vëmendje dhe maturi, e jo eufori, në momentin e dhënies së votës.

Zgjedhjet nuk janë ceremoni partie, as ndonjë festival i tipit “Sunny Hill”. Ato janë akt solemn, ku secili qytetar duhet të mbajë përgjegjësi për votën e tij, sepse përmes saj përcaktohet e ardhmja e vendit.

Prandaj, në dhënien e votës nuk duhet të tregoheni dorëlirë. Para se ajo të hidhet në kutinë e votimit, duhet analizuar me shumë kujdes. Sikur në të kaluarën, ashtu edhe sot, vërehet papjekuri politike e përshkuar nga interesa personale të individëve që mandatet e kaluara i kanë çuar kot, pa qenë në gjendje t’i sjellin shoqërisë ndonjë të mirë.

Të njëjtit, për të fituar vota, bëjnë një lloj lobimi të ngjashëm me lypsarinë: rendin derë më derë dhe kërkojnë votën e atyre që kurrë nuk i kanë vizituar as në raste fatkeqësish, as varfërie ekstreme, e as në raste mortesh.

Po ashtu, ushtrojnë trysni përmes propagandës pa fakte dhe pa prezantuar programe konkrete, duke u paraqitur si më të mirë se partitë rivale. Të tillët janë të interesuar vetëm për beneficionet që ua sjell pushteti, e jo për përmirësimin e pozitës së qytetarëve.

Votuesi duhet të tregojë kujdes edhe ndaj atyre që shtiren si “veteranë” të politikës. Ata, me çdo kusht, kërkojnë të rizgjidhen sërish, në mënyrë që pasuritë e tyre të paligjshme dhe të dyshimta të mbeten të paprekura.

Sikur të mos ekzistonte kjo prirje, ata do të duhej t’ua lironin vendet të rinjve që njohin katër–pesë gjuhë të huaja dhe janë ekspertë në fusha të ndryshme të teknologjisë së informacionit. Mbase kjo dikujt mund t’i duket imponim apo diktat, por shekulli i ri kërkon dije dhe përsosmëri. Riciklimi i figurave të konsumuara është papërgjegjësi dhe dështim absolut.

Duhet të privilegjohet sidomos brezi i të rinjve të lindur pas viteve ’90. Ky brez nuk mban barrën e mëkateve të tranzicionit dhe nuk është pjesë e pazareve politike për pushtet. Ky brez është shpresë për reforma rrënjësore, sepse shërbimin publik e sheh si obligim e jo si biznes personal.

Gjatë fushatave zgjedhore, partitë politike shpeshherë shfrytëzojnë figura historike, kombëtare ose publike për të krijuar ndikim emocional tek votuesit. Këto figura e kanë ndërtuar autoritetin dhe respektin e tyre në rrethana krejtësisht të ndryshme historike dhe shoqërore dhe nuk kanë asnjë lidhje me pazaret apo kalkulimet e politikës së sotme zgjedhore.

Instrumentalizimi i emrave simbolikë për qëllime elektorale është formë manipulimi, sepse tenton të zëvendësojë programet, idetë dhe përgjegjësinë politike me nostalgji dhe emocione. Demokracia nuk forcohet me huazim figurash, por me llogaridhënie, vizion dhe punë konkrete.

Fatkeqësisht, liderët partiakë po vazhdojnë me avazin e njëjtë. Në asnjë mënyrë nuk po heqin dorë nga retorika boshe dhe premtimet pa mbulesë. Premtimeve boshe u ka dalë boja; atyre u besojnë vetëm somnambulët. Qytetari i vetëdijshëm, i cili ka vendosur të qëndrojë në Kosovë, kërkon shifra, burime dhe plane reale, jo slogane fushatash.

Votoni ata që dinë të bëjnë politikë. Aktorët e kanë skenën, këngëtarët festivalet, sportistët fushat dhe palestrat, oficerët armatën. Politika është profesion serioz me pasoja kombëtare. Popullariteti nuk e zëvendëson dijen, as fama përgjegjësinë. Qeveria dhe Parlamenti janë pasqyra jonë në sytë e botës.

Para se të shkoni te kutitë e votimit, shkoni gjakftohtë dhe të pandikuar nga të tjerët. Analizoni punën dhe frytet e kandidatit që mendoni ta votoni. Fjalët i merr era; veprat mbesin.

Mos e shisni votën për ndonjë privilegj të vogël, sepse çmimin e saj e paguan shumë shtrenjtë Kosova.

Thjesht, mos luani me votën tuaj. Ajo nuk është vetëm kryerje e një formaliteti, por ka peshë dhe vlerë të jashtëzakonshme. Nga e kaluara e afërt na kujtohet fare mirë se, kur vota relativizohej apo shpërfillej, zhgënjimi vinte shpejt.

Mos të përsëritet kjo praktikë e gabuar, sepse të fortët e prapaskenave gjithmonë e gjejnë rrugën që, përmes pazareve politike dhe zarfeve të mbyllura, t’u caktojnë qytetarëve edhe Kryeministrin, edhe Kryetarin e Parlamentit, ashtu siç ka ndodhur jo shumë larg.

Të ngjashme