Filharmonia mbyll vitin me festë midis ambicieve e mungesës së kushteve

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Me shumë improvizime në sallë, edhe një herë tjetër, është mbajtur koncerti festiv i fundvitit i Filharmonisë. Ka nisur me uverturë nga “Die Fledermaus” të Johan Strauss II si një lloj marshi që shkrihet në tinguj flauti e të harkorëve. Në harmoni të plotë Orkestra ka vazhduar edhe me veprat e tjera. E, institucioni edhe këtë vit është dashur të jetë në harmoni me kushtet në të cilat vepron, me infrastrukturën më të dobët në rajon. Por, me suksese të shumta këtë vit, Filharmonia është me ambicie të mëdha edhe për 2026-n.

Oferta e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës asnjëherë nuk është e rëndomtë. As në fundvit kur institucioni muzikor jo vetëm feston ndërrimin e motmoteve, por edhe rrumbullakon suksesin e një viti të tërë të kalendarit të koncerteve brenda e jashtë vendit si dhe zbulimin e perlave klasike botërore e vendore për publikun. Kolazhi me vepra festive nën drejtimin e maestros Dario Salvi ka qenë përbërja e koncertit gala për Vitin e Ri. 

Tre bredha, drita dekorative në hyrje të Sallës së Kuqe dhe fjongo në mbajtëset e partiturave, bashkë me ekranet që njoftojnë ngjarjen, kanë qenë dekori për kremten e Filharmonisë së Kosovës. Yjet kryesorë janë përherë anëtarët e institucionit. Sikurse veprat kushtuar festave të fundvitit promovojnë harmoni e unitet midis njëri-tjetrit, ashtu Filharmonia e Kosovës ka bërë bashkë gjithë kapacitetet e saj: Korin dhe Orkestrën. 

Ata, nëse merren parasysh kushtet mund të thuhet se jo rrallë kanë shkëlqyer gjatë gjithë vitit. Edhe pa dekore, midis mureve të zymta, dyerve të zhurmshme, perdeve që mbulojmë shëmtinë e dy sallave – në të cilat endet Filharmonia duke u përshtatur për raste të caktuara e që asnjëra nuk është më e mirë se tjetra  – që vrasin akustikën. 

Me shumë improvizime në sallë, edhe një herë tjetër, është mbajtur koncerti festiv i fundvitit i Filharmonisë. Ka nisur me uverturë nga “Die Fledermaus” të Johan Strauss II si një lloj marshi që shkrihet në tinguj flauti e të harkorëve. Tema e hyrjes përsëritet e vijojnë kambanat si tinguj simbol i natyrës së muzikës së festave të fundvitit. Harmonia mbizotëron dhe përplaset me lojën dinamike në versionin e tingujve të butë. 

“Schönfeld-Marsch” nga Carl Michael Ziehrer ka qenë me ritme solemne ndërsa “The Skaters Waltz, op.183” ka nisur me një temë melankolie të frymorëve dhe me tensionin e harkorëve që transformohet në lojë harmonike e po ashtu edhe nostalgjike. Kjo i karakterizon edhe këngët festive. Pjesa qendrore vjen nga instrumentet harkore. 

Në “Der Erlkönig” të Franz Schubert kontrabasët janë dominues ndaj pjesës tjetër të orkestrës me tinguj shënjues e të përsëritshëm derisa harkorët njëtrajtshëm përplasen me tingujt e lehtë të frymorëve. “Frühlingsstimmen, op.410” ka tingëlluar përrallore me përfshirjen e harpës. E tejet atraktive ka qenë “Marshi i zjarrfikësve, op.33” nga baleti “Aventurat e Flickut dhe Flockut” nga Peter Hertel. Ka qenë edhe njëra prej veprave premierë në Kosovë bashkë me atë të Schubert dhe me “Përrallat e Hoffmanit – Intermexo dhe Barkarolë” nga Jacques Offenbach. 

Edhe më atraktive e kreative ka qenë vepra “The typewriter” nga Leroy Anderson. Tingujt me makinë shkrimi i ka sjellë koristja Donjeta Krasniqi. Ka shtypur tastet në të njëjtin ritëm si ka luajtur Orkestra, e shpesh edhe solo. Por makina e shkrimit e ka tradhtuar në disa raste. Ritmi mbyllës i veprës kësaj here është ilustruar edhe me atë të tërheqjes së letrës me tekstin e shkruar. 

Vepra “Tzigane” e Maurice Ravel ka nxjerrë në pah shkathtësitë në violinë të francezes Clara Saitkoulov si soliste. Me karrierë goxha të nivelit të lartë, Saitkoulov të shtunën mbrëma s’ka qenë në më të mirën e saj. Kur Orkestra është bashkuar ngadalë, ka marrë kontekste tradicionale. Për dallim nga veprat e tjera, te Ravel edhe Orkestra sikur është zbehur. Veçmas frymorët. Kjo është vërejtur edhe nga mimikat e maestro Salvit e edhe tek komunikimi me ta gjatë direktivave në skenë. 

Violinistja, e cila vlerësohet si një nga më ekspresivet dhe më të fuqishme të gjeneratës së saj, ka thënë se vepra që ka interpretuar e reprezanton dinjitetshëm kulturën e vendit të saj. 

“Çfarë është interesante rreth saj, është që muzika që franceze konsiderohet përherë shumë e vlefshme, e bukur dhe kjo pjesë e reprezanton atë, por gjithashtu edhe stilin ‘gypsy’. Në fillim është kadenca e harkorëve që është shumë pasionante. Prezanton edhe kulturën time mjaft mirë duke qenë se vij nga Franca. Në përgjithësi kam qenë e lumtur ta sjell këtë vepër në Kosovë dhe ta luaj në gala-mbrëmjen për Vitin e Ri”, ka thënë ajo. 

Është shprehur e lumtur për koncertin e parë të saj në Prishtinë. 

“Ishte shumë kënaqësi të jem këtu. Isha e mahnitur dhe natyrisht se ishte maestro Salvi që më tregoi gjithçka për këtë vend. Përshtypja e parë ishte mahnitëse dhe ishte kënaqësi të interpretoja me Orkestrën. Ka njerëz të mirë me prapavijë të ndryshme. Më pëlqen të takoj muzikantë nga e gjithë bota”, ka thënë violinistja Clara Saitkoulov. 

Violinistja e shquar Sihana Badivuku ka thënë se kjo vepër është kulmi i veprave të literaturës violinistike. 

“Violinistja, për moshën që ka, mendoj se ‘Tzigane’ nga Ravel ka kërkesa virtuoze dhe është kulmi i veprave të literaturës violinistike. Violinistja tregoi pjekuri, precizitet dhe një shkollë fantastike violinistike. Më vjen mirë që do të jetë një inspirim për gjeneratat e reja që ta luajnë edhe ata këtë vepër”, ka thënë ajo. 

Në përgjithësi, e ka çmuar koncertin e së shtunës mbrëma sikur edhe punën e dirigjentit skocez Dario Salvi. 

“Çdo lëvdatë për Filharmoninë e Kosovës, për një program të përzgjedhur me aq përkushtim. I përgjigjet edhe atmosferës festive sikur edhe maestros Dario i cili përherë e ka atë sharmin e veçantë dhe me mjeshtërinë e profesionalizmin e tij, gjithmonë e ngjall publikun me energji unike që vetëm ai e posedon”, ka thënë Badivuku. 

Në program ka qenë edhe vepra “Trëndafilat nga jugu” nga Johan Strauss II e “Feuerfest! Polka française, op.269 nga Josef Strauss. Perkusionisti Patris Berisha ia ka shtuar magjinë kësaj vepre me tinguj me kudhër hekuri që e ka dominuar gjithë orkestrën me goditjet e saj. 

Publiku ka ndërhyrë në tingull me duartrokitje e maestro Salvi ka qenë edhe dirigjent i publikut. I ka dhënë direktiva se ku të ndërhyjë e ku të ndalojë. 

Salvi, i cili ka qenë një ndër dirigjentët që shpesh kanë drejtuar Filharmoninë këtë vit në koncertet e saj, ka thënë se për këtë koncert ka dashur të sjellë diçka të famshme, por të re për vendin. 

“Ajo çfarë është e re është pjesa nga ‘Aventurat e Flickut dhe Flockut’ e Firemen-Galopp dhe është me fishkëllima që përdoren shumë në Skoci. E patëm një sekuencë franceze ku patëm Claran duke luajtur, gjithashtu Offenbach, kështu që ishte një përzgjedhje e lezetshme për këtë vit”, ka bërë të ditur ai. 

Vitin e kaluar qe dirigjent i koncertit festiv të Vitit të Ri, ku u përfshi edhe baleti. Koncerti qe mbajtur në një sallë private. Kësaj here ka thënë se u janë përshtatur kushteve. 

“Këtë vit, pasi që jemi këtu vendosëm të bënim diçka më të përshtatshme me solisten në violinë dhe me veprën ‘Daktilografja’. Ishte kënaqësi ta argëtonim publikun. Unë mund të vij këtu çdo muaj nëse ata ma kërkojnë. Është përherë kënaqësi të punoj me këtë Orkestër, atmosfera është secilën herë më pozitive”, ka thënë dirigjenti Dario Salvi. 

Është luajtur edhe vepra “Can can” nga Jacques Offenbach para se formacioni i Korit të Filharmonisë të hyjë në skenë. Në përcjellje të Orkestrës kanë jehuar në pjesën e njohur “Anvil Chorus” nga opera “Il Trovatore” e Giuseppe Verdit. E siç nuk ka ngjarë më parë në vend, me këndim është sjellë pjesa e famshme “Vals në Danubin e kaltër, op.314” e Johan Strauss II. Vepra në versionin origjinal të saj është sjellë premierë. 

“Doja të sillja ngjyra. E luajtëm edhe ‘Valsin në Danubin e Kaltër’ në versionin origjinal, pasi që ishte shkruar si pjesë korale dhe shumë rrallë dëgjohet ashtu siç është shkruar”, ka shpjeguar dirigjenti Salvi. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se jo rastësisht është mbyllur koncerti me këtë vepër. Ka qenë një lloj simbolike e vitit në të cilin Filharmonia ia ka kushtuar programin kryesisht veprave vokalo-instrumentale. 

“Sonte është përmbyllur aktiviteti i vitit 2025, në të njëjtën kohë edhe viti kur është shënuar 25-vjetori i Filharmonisë. Këtë vit një prej thekseve kryesore kanë qenë veprat vokalo-instrumentale që kanë bërë bashkë dy njësitë e Filharmonisë: Orkestrën dhe Korin. Ndoshta për këtë arsye edhe e kemi mbyllur koncertin e Vitit të Ri me ‘Valsin në Danubin e Kaltër’ në versionin me kor dhe orkestër siç nuk e kemi interpretuar më përpara”, ka thënë ai.

Ka qenë vit dinamik dhe i ngjeshur me aktivitete. Ka qenë viti në të cilin është shënuar çerekshekulli i institucionit ndërsa sukseset që e kanë karakterizuar kanë qenë prezantimet ndërkombëtare. 

“Ritmin që e ka pasur Filharmonia ka vazhduar. Ai që e ka pasur edhe në të kaluarën. Janë krijuar mundësi që ai ritëm të shtohet përgjatë vitit 2025 edhe për shkak të mbështetjes që kemi pasur për faktin që kemi qenë në shënim të 25-vjetorit. Kjo ka ndihmuar edhe në prezantimet ndërkombëtare që janë më të shumta në raport me vitet e kaluara. Këtë vit Filharmonia ka lëvizur në Bernë, në Sofje, në Hamburg, Duseldorf, Romë, por edhe në Shkup e Tiranë, disa në bashkëpunime e disa si koncerte të vetë institucionit”, ka thënë Selimaj. 

E ritëm i njëjtë e pret Filharmoninë edhe në vitin vijues. Selimaj ka bërë të ditur se në pjesën e parë të vitit e presin disa programe që janë jashtëzakonisht kërkuese. 

“Fokusi do të jetë debutimi në Filharmoninë e Berlinit më 31 mars, por edhe prezantimi i parë në Varshavë që do të ndodhë më 26 shkurt. Thashë prezantimi i parë, sepse gjatë vitit të ardhshëm Filharmonia në Poloni do të lëvizë disa herë pasi jemi duke krijuar një cikël bashkëpunimesh midis Kosovës dhe Polonisë dhe kjo do të rezultojë në fund të vitit të ardhshëm me një festival, i cili do të zërë vend në Prishtinë e që do të jetë Festivali i Muzikës Polake në Prishtinë dhe pastaj do të përsëritet në Poloni në prezantimet e Filharmonisë atje, në interpretimin e veprave të kompozitorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka treguar ai. 

Filharmonia e Kosovës e mban koncertin e parë për vitin 2026 më 23 janar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve.

Të ngjashme