Emini: Serbia ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës, Vuçiq dhe Lista Serbe përdorin punësimet dhe ndihma për të ndikuar në vota

Prishtinë | 26 Dhj 2025 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Se Kosova është shtet i pavarur e sovran, vështirë e ka ta pranojë Serbia, e cila në vazhdimësi me gjithë arsenalin e saj shtetëror tenton që ta destabilizojë, por edhe të ndërhyjë në shtetin e Kosovës. Kjo e dëshmon edhe me faktin se tani ka hapur konkurs për punësime në institucionet paralele serbe në Kosovë, vetëm e vetëm për t’i bindur qytetarët që të votojnë për partinë që e dirigjojnë nga Beogradi, e që është Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.

Ridvan Emini, hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve, Ekonomia Online ka thënë se kjo është vetëm një nga mënyrat të cilat e përdor Beogradi për të ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, pa çka i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë veprime konkret ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe jo të jepen vetëm vërejtje. Marr shkas këtu edhe faktin se ai ditë më parë haptazi shfaqi përkrahjen për partinë e preferuar të të tyre.

Emini vlerëson se konkurset po bëhen me qëllimin për t’i manipuluar serbët dhe të diktojë se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve nga komuniteti serb.

“Nuk është hera e parë që Serbia ndërhyn në integritetin dhe territorialitetin e Kosovës, edhe në të kaluarën ka vepruar kështu edhe tash me zgjedhjet e jashtëzakonshme që i kemi më 28 dhjetor. Para tyre ka vendosur të shpallë një konkurs shtesë lidhur me angazhimin e mbi 350 mjekëve shëndetësorë, dmth në institucionet shtetërore serbe të cilat funksionojnë në mënyrë paralele dhe ilegale në Republikën e Kosovës. Kjo është një anë e ndërhyrjes direkte të Beogradit në Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër, përmes këtyre konkurseve Serbia në vazhdimësi manipulon dhe mban nën presion qytetarët serbë në Kosovë, dhe para këtij konkursi, me datë 19, se prej datës 20 dhjetor do të shpërndajë edhe ndihma financiare për qytetarët serbë në Kosovë. Nuk është një konkurs i vetëm, por një politikë shtetërore e cila angazhohet në vazhdimësi që të manipulojë me qytetarët serbë në Kosovë, të diktojë se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb në Kosovë, duke eliminuar të gjitha alternativat e tjera demokratike që vijnë po nga komuniteti serb”, deklaroi Emini.

Emini nga “Octopus” ka nënvizuar deklaratën e Vuçiq për partinë favorite të saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit që do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës.

“Në vazhdimësi, Beogradi synon të ndërhyjë në Kosovë përmes qoftë skemave sociale apo punësimeve të tilla. Gjithashtu, Beogradi zyrtar, përkatësisht presidenti serb, ka bërë edhe disa deklarime duke shpallur favoritët e Beogradit në Kosovë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pra, bëhet fjalë për Listën Serbe, madje ai ka ndërhyrë në proces duke thënë se një kandidat nga një parti tjetër serbe, i cili është tërhequr nga gara, ka bërë një veprim pozitiv. Rrjedhimisht, kjo shihet si ndërhyrje direkte, pra duke pamundësuar alternativa të tjera dhe duke favorizuar Listën Serbe. Rrjedhimisht, ky orientim i votës, ose kanalizim për të votuar Listën Serbe me preferenca nga Beogradi, është një sabotim në procesin zgjedhor të Kosovës, për shkak se dimë shumë mirë edhe për të kaluarën se si Lista Serbe ka vepruar, duke u tërhequr nga institucionet e Kosovës. Pra, edhe në të ardhmen, nëse kjo parti politike arrin t’i marrë mandatet të cilat Republika e Kosovës i ka të rezervuara për komunitetin serb, atëherë është një mundësi tjetër që të vazhdojë politika e njëjtë e Beogradit karshi Republikës së Kosovës”, potencoi Emini.

Hulumtuesi Emini thotë se Instituti Octopus në vazhdimësi ka bërë paralajmërimet për ndërhyrjet e shtetit serb në zgjedhjet në Kosovë, por që për këtë ende nuk ka ndonjë masë. Me ç’rast ai thekson se BE duhet ta sanksionojë lidershipin e Beogradin, merr këtu për bazë edhe faktin e pamohueshëm i implikimit në sulmin terrorist në Bansjka dhe në kanalin e Ibër Lepecin në Varagë të Zubin Potokut që u kryen me direktiva të tyre.

“Instituti ‘Octopus’ në vazhdimësi ka paralajmëruar për këto ndërhyrje jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën, andaj ne i kemi bërë thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që të reagojë lidhur me këtë ndërhyrje direkte të Beogradit në Republikën e Kosovës dhe në procesin zgjedhor. Rrjedhimisht, BE duhet të sanksionojë lidershipin e Beogradit jo vetëm për këto raste, por dimë që edhe në të kaluarën ka qenë i implikuar direkt qoftë në rastin e Banjskës dhe atij në Ibër Lepenc. Mosveprimi adekuat i Perëndimit në raport me Beogradin e ka lejuar Vuçiqin të ketë një terren të hapur dhe të ndikojë në mënyrë direkte përmes mekanizmave të tij, siç është rasti i Listës Serbe në Kosovë”, nënvizon ai.

Në gjithë këtë Instituti ka bërë thirrje që të merret parasysh ligji i ri amerikan, dhe njëjtë sikurse ShBA të veprojë edhe BE për ta frenuar Serbinë, për të cilën nuk ka asnjë mëdyshje që politika e saj është agresive.

“Ne si instituti kemi bërë thirrje që të merret parasysh edhe ligji i ri amerikan, i cili realisht kanalizon të gjithë ata që kanë tendenca të tilla, qoftë me ndërhyrje ndër-shtetërore ose tendenca të tjera. Andaj, një veprim i tillë duhet ta pasojë njëjtë edhe BE, sikurse edhe SHBA, në mënyrë që të frenohet politika e Beogradit, e cila dihet mirë që është agresive në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, por në veçanti me Kosovën”, tha ndër të tjera Emini.

Por nuk janë vetëm mekanizmat financiar dhe politik të cilat regjimi serb po përdor për të arritur qëllimin e saj karshi Kosovës. Emini ka listuar metodologjitë përmes të cilave Beogradi  po provon të ndërhyjë në Republikën e Kosovës.

“Serbia nuk e përdor vetëm një mekanizëm politik, vetëm financiar. Ajo përdor mekanizma hibridë në raport me Kosovën. Jo vetëm partitë politike, jo vetëm organizatat joqeveritare, por edhe mediat të cilat veprojnë në Kosovë i manipulon ose i përdor për propagandë në raport me institucionet e Kosovës. Gjatë verës, një gjë të tillë e kishte bërë në raport me Policinë e Kosovës në veri, mirëpo pas një hulumtimi ndërkombëtar ka rezultuar se Policia e Kosovës ka vepruar drejt në raport me qytetarët serbë në veri dhe është demaskuar ajo narrativë serbe për të cilën ‘Octopus’ ka reaguar. Edhe këto zgjedhje nuk përdoret vetëm mekanizmi politik dhe financiar, por edhe mediat, lajmet e rreme dhe të gjitha organizatat e tjera të cilat i përdor në mënyrë direkte ose indirekte përmes njerëzve të saj që i ka në Kosovë”, theksoi Emini.

Emini pati dhe një thirrje për BE-në.

“Instituti ‘Octopus’ i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë në raport me Beogradin dhe të ndalet një praktikë e tillë në raport me Kosovën. Nuk mjafton më tërheqja e vërejtjes ndaj Vuçiqit, por të merren hapa konkretë, qoftë edhe ligjorë, siç ka bërë Amerika”, bëri thirrje Emini.

Me 24 dhjetor 2025, Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur sot konkurs për 300 vende pune në institucione paralele serbe në Kosovë.

Po ashtu u tha se në gjysmën e dytë të janarit, 700 veta, personel mjekësor dhe jomjekësor, do të punësohen pas një konkursi që u zhvillua më parë.

Të ngjashme