Basha dhe Haxhiu vizitojnë repartin e Hemato-onkologjisë pediatrike në QKUK

Prishtinë | 30 Dhj 2025 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Në prag të Festës së Vitit të Ri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, bashkë me nënkryetaren Albulena Haxhiu, vizitoi repartin e Hemato-onkologjisë pediatrike në QKUK, duke ndarë momente me fëmijët e shtrirë në këtë repart, të cilët po luftojnë me guxim një betejë të madhe për jetën e tyre.

Duke u uruar fëmijëve, prindërve të tyre dhe gjithë stafit mjekësor Vitin e Ri, kryetari Basha dhe nënkryetarja Haxhiu ndanë disa dhurata simbolike për fëmijët, për të sjell tek ta sadopak gëzim dhe ngrohtësi në këtë prag feste, me shpresën për shërim të plotë dhe shëndet të mirë në vijim.

Gjatë kësaj vizite drejtuesit e Kuvendit zhvilluan një takim të veçantë edhe me stafin mjekësor, duke i përgëzuar për punën që bëjnë.

“Buzëqeshjet e fëmijëve, edhe në kushte të vështira, janë dëshmi e forcës së jashtëzakonshme që mbartin dhe e nevojës sonë për të qenë më pranë njëri-tjetrit. Ballafaqimin e tyre e bën më të lehtë stafi i mrekullueshëm, që punën e tyre nuk e kanë veç detyrë, por edhe mision, prandaj një mirënjohje dhe falënderim për punë e palodhshme që e bëjnë çdo ditë”, ka theksuar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Të ngjashme