Më shumë se 26,2 milionë euro ka përfituar Princi William gjatë viteve 2024–2025, falë rolit të tij si Princ i Uellsit, sipas raportit vjetor të Dukatit të Cornwall-it për vitin 2025.
Dukati i Cornwall-it është titulli dhe pasuria që William trashëgoi kur babai i tij, mbreti Charles, u ngjit në fron në vitin 2022.
Në Raportin e Përbashkët Vjetor për vitin 2025, Dukati bëri të ditur një suficit të shpërndarë prej 22,9 milionë paundësh (rreth 26,2 milionë euro) për vitin fiskal 2024–2025, që shënon vitin e dytë të Princit William si Dukë i Cornwall-it. Sipas revistës People, kjo shumë mbulon shpenzimet zyrtare, bamirëse dhe private të Princit William, Kate Middleton dhe tre fëmijëve të tyre.
Si anëtar aktiv i familjes mbretërore britanike, Princi i Uellsit nuk përfiton një të ardhur tradicionale. Në vend të kësaj, shpenzimet e tij vjetore mbulohen kryesisht nga Dukati i Cornwall-it, një pasuri e krijuar nga mbreti Eduard III në vitin 1337, me qëllim sigurimin e fondeve për trashëgimtarin e fronit.
Kjo pasuri e madhe, me vlerë mbi një miliard dollarë, shtrihet në rreth 130 mijë hektarë në 23 qarqe të Anglisë dhe Uellsit dhe përfshin toka, ferma, banesa dhe asete të tjera, të destinuara për mbështetjen e trashëgimtarit të fronit dhe familjes së tij.
Princi William raportohet se paguan tatim mbi të ardhurat për të gjithë shumën që përfiton nga Dukati i Cornwall-it, pasi zbriten shpenzimet e familjes, të cilat nuk janë bërë publike.