Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, në ditën e fundit të këtij viti.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka ndarë momente nga kjo vizitë, duke theksuar forcën, guximin dhe shpresën që, sipas saj, rrezatojnë këta fëmijë edhe në rrethana të vështira.
“Në ditën e fundit të këtij viti, aty ku forca matet me buzëqeshje të vogla dhe guximi me zemra të mëdha, vizituam fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë. Aty koha ecën më ngadalë, por shpresa rreh më fort”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se në prag të Vitit të Ri, fëmijët dhe familjet e tyre janë një kujtesë e fuqishme se shpresa dhe dashuria nuk zbehen kurrë.
“Në prag të Vitit të Ri, ata na kujtuan se shpresa nuk shuhet kurrë dhe se dashuria është forca më e madhe shëruese”, ka shtuar presidentja.
Osmani ka shprehur gjithashtu mirënjohje për stafin mjekësor të Klinikës së Pediatrisë, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.
“Falënderim i veçantë për stafin e mrekullueshëm të klinikës, të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme”, ka shkruar ajo.
Presidentja ka uruar që viti i ardhshëm të sjellë shëndet dhe shërim për fëmijët e prekur nga sëmundjet e rënda dhe familjet e tyre.
“Uroj që viti që vjen të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe mrekulli të vogla e të mëdha për këta fëmijë të jashtëzakonshëm dhe për familjet e tyre!”, shtoi Osmani.
