Ish-kapiteni i Juventusit, Danilo, ka folur me emocione të forta gjatë rikthimit të tij në Allianz Stadium, duke pranuar se largimi nga klubi nuk ishte zgjedhja e tij dhe se bardhezinjtë mbeten “shtëpia” e tij.
Braziliani, aktualisht pjesë e Flamengos, deklaroi se do të ishte gati të rikthehej te Juventusi në të ardhmen, qoftë në një rol të ri pas përfundimit të karrierës. “Juventusi është shtëpia ime, nuk do të mendoja dy herë nëse do të më thërrisnin,” u shpreh ai për DAZN Italia.
Danilo falënderoi drejtuesit aktualë të klubit dhe veçoi Giorgio Chiellinin për mënyrën se si u menaxhua situata pas largimit të tij, duke lënë të kuptohet se problemet e mëparshme ishin me drejtues tashmë të larguar nga klubi.
Ish-mbrojtësi u nderua nga tifozët me pankarta dhe kore, ndërsa para nisjes së ndeshjes foli edhe me mikrofon, duke falënderuar publikun për mbështetjen në momentet më të vështira. “Edhe pse nuk e vesh më këtë fanellë, askush nuk mund ta heqë nga zemra ime,” përfundoi Danilo.