(Si të ndihesh burrë pa u lodhur)
Nuk e kam ditur se meshkujt shqiptarë ende tubohen nëpër oda e fantazojnë.
Dhe ulen këmbëkryq mbi shilte të buta, ndërsa disa djem u shërbejnë me tabaka çaj rusi që e përvëlojnë gratë.
Nuk e kam ditur se edhe sot e kësaj dite burrat mblidhen kokë më kokë për të analizuar probleme planetare, për të rrëzuar mite dhe për të ndërtuar kode morale… në odë.
Në atë odë nga e cila ende përjashtohen gratë.
Nuk e kam ditur… derisa e pashë fushatën zgjedhore… se një pjesë e madhe e saj zhvillohet pikërisht aty: nëpër oda burrash.
Kam menduar se oda ishte folklor.
Por jo.
Qenka strategji.
Qenka seli.
Sepse s’ka më lehtë se të bëhesh burrë shqiptar i Kosovës:
ndërton një odë, shtron disa shilte, vë plisin dhe pleqëron për dijen që nuk e ke… me bindje të plotë.
Nuk e kam ditur se secili pronar i odës
e merr veten për pleqnar.
As se ende ka dhoma në shtëpitë e shqiptarëve që i ndajnë burrat nga gratë… nga frika.
Bisedat që bëhen aty janë “të rënda për gratë”, prandaj gratë nuk lejohen të hyjnë. Se traumatizohen.
Burrat, jo. Ata s’ka kush i traumatizon.
Oda është vend reflektimi.
Reflektimi zakonisht fillon me:
“Ish kanë njani, i kish pas thënë tjetrit…”
Dhe kështu ndërtohen teoritë e mëdha morale.
Mblidhen për të analizuar problemet planetare,
pa e zgjidhur asnjë problem shtëpiak.
Shqiptarët ndahen në shtëpi.
Ndahen në dasmë.
Ndahen gjithkund.
Veç në varreza burra e gra të panjohur e bëjnë vdekjen bashkë.
E kur burrërinë nuk e ndjejnë
(dhe s’e ndjejnë kurrë, prandaj bërtasin),
fajin e gjejnë te gratë.
“Të mos ishin gratë, ne do të ishim burra.”
Fushata zgjedhore e nxori në dritë një sekret të vjetër:
se disa ende besojnë që shiltja e butë, oda e nxehtë dhe gratë jashtë odave e bëjnë burrin të fortë… në imagjinatë.
P.S.
Në vend se të shkruajë poezi të bukura,
ai luan me ndjenja të grave;
prandaj shkruan poezi të këqija.
Dhe fiton.
Jo lexues.
Viktima. Fiton.
Gra të humbura, që më pas i hedh si kukulla me këmbë të thyera.
Sepse viktima nuk e bën hero.
Por
nuk quhet vrasës i dashurisë.
Quhet vetëvrasës.
Veçse ai nuk e di.
Ai nuk e di pse nuk shkruan bukur.
Sepse nuk dashuron bukur.
Ha ndjenja.
Për darkë – trishtim.
Për mëngjes – pi mjegull.
Koleksionon ndjenja të vdekura. Ai.
Por bishë s’është. As djall.
Qan.
Krejt çfarë do është të bëhet Poet.
Duke ngrënë dashuri… grash.
AUTOKRITIKË
Ti s’e ke ditur se shiltja është faktor politik.
Tash e di.