Ministri Çeku priti në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e arsimit, shkencës dhe zhvillimit profesional.

Gjatë takimit, ministri Çeku vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë, si dhe theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit në projekte që kontribuojnë në rritjen e cilësisë në arsim, avancimin e arsimit profesional dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

Nga ana e tij, ambasadori Georg Schnetzer rikonfirmoi gatishmërinë e Austrisë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në arsim, me theks të veçantë në arsimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të zhvillimit të mëtejmë të sistemit arsimor në Kosovë.

Të ngjashme