Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe përfaqësues të Komunës së Shtimes, kanë përuruar projektin e renovimit të shkollës profesionale në Shtime në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë ceremonisë së përurimit, u theksua rëndësia e investimeve në infrastrukturën shkollore, me fokus në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe kursimin e energjisë.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit, Kurti foli për rëndësinë e investimeve në shkolla dhe ndikimin që ato kanë në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor.
“Nëse duam mjekë, infermierë, teknikë, profesionistë e qytetarë të përgjegjshëm, atëherë duhet që shkolla të jetë vend i ngrohtë, i ndriçuar, funksional dhe dinjitoz. Në këtë shkollë, masat për efiçiencën e energjisë janë gjithsej mbi 330 mijë euro dhe nga ky investim përfitojnë afër 500 nxënës dhe punonjës të shkollës. Objekti i ka tri kate me gjithsej 6350 metër katrorë, pra bëhet fjalë për një objekt të madh, me përdorim të përditshëm dhe me ndikim të menjëhershëm në jetën shkollore të qindra familjeve të komunës së Shtimes”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se investimet në efiçiencë të energjisë do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e konsumit të energjisë dhe krijimin e kushteve më të mira për mësim.
“Para masave të zbatuara, konsumi vjetor i energjisë në këtë objekt ishte përafërsisht 1.25 gigavat orë, ndërkaq pas zbatimit të masave vlerësohet që konsumi do të bjerë në rreth 604 kilovat orë në vit, që do të thotë diku përgjysmim, dhe këto janë mjete të konsiderueshme financiare të cilat nuk do të shkojnë më në humbje të energjisë, por mbeten në shërbim të shkollës dhe të komunës. Efiçienca e energjisë mbase tingëllon si një term teknik, por në shkollë ajo kuptohet shumë thjeshtë: klasa më të ngrohta në dimër, ndriçim më i mirë, ajër më i pastër, më pak humbje, më shumë përqendrim dhe më shumë dinjitet për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kjo është politika publike kur shihet nga afër në klasë, në bibliotekë, në laboratorë të shkollës, ku nxënësi mëson në kushte shumë më të përshtatshme”, u shpreh Kurti tutje.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti është pjesë e investimeve të Qeverisë së Kosovës për rritjen e efiçiencës së energjisë në objektet publike.
“Kënaqësi që këtë herë jemi këtu për të përuruar një investim që po bëhet me financim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me një fond në total prej 3.8 milionë euro të cilin e kemi ndarë në dhjetor të vitit 2024 dhe rezultatet e të cilit po i shohim tani. Kjo është në mesin e 13 objekteve komunale, shumica e tyre shkolla, dhe tri prej tyre në Shtime, siç e përmendi edhe Kryeministri, në të cilat po investohet për të rritur efiçiencën e energjisë. Në këtë shkollë specifikisht, konsumi i energjisë është ulur përafërsisht mbi 50%, dhe kjo nuk është veç një shifër”, tha ajo.
Rizvanolli theksoi se kursimet nga energjia do t’u mundësojnë komunave të investojnë më shumë në fusha të tjera me interes për qytetarët.
“Kjo do të thotë që secili cent që kursehet në konsum të energjisë lirohet nga komuna për investime të tjera, për qëllime të tjera, dhe kjo është edhe një dëshmi që sistemi, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po funksionon si një sistem qarkullues i cili së shpejti pritet të bëhet i vetë-qëndrueshëm. Çka do të thotë kjo? Në vend se komunat të paguajnë fatura të larta të energjisë, ndërkohë që nxënësit e mësimdhënësit nuk janë në kushte të rehatshme e të dinjitetshme, faturat e energjisë ulen, ndërsa komuna e paguan, e kthen këtë borxh kushtimisht gradualisht me kursimet nga faturat përgjatë një periudhe 10-15 vjeçare dhe pastaj kjo i mundëson Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë që këto mjetet t’i shfrytëzojë për të bërë investime të tjera”, shtoi Rizvanolli.
Kurti më pas vazhdoj vizitën në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Godanc të kësaj komune.


