Ish-drejtori i BKS-së Sami Mazreku dhe Venhar Hana ish-udhëheqës i zyrës ligjore, derisa ishin në detyrë, dyshohet se përmes përpilimit të dokumenteve të rreme, kundërligjshëm kanë përfituar shumën prej 25 mijë euro neto secili. Prokuroria po e heton edhe këtë rast.
Prokuroria Themelore në Prizren pati nisur edhe një hetim tjetër ndaj ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku dhe ish-përfaqësuesit ligjor të BKS-së Venhar Hana. Edhe ky rast është përfshirë në kuadër të aksionit të djeshëm të prokurorisë. Por nga ky institucion nuk japin më shumë informacione, shkruan Çohu.org
“Sa i përket intervistimit të dyshuarve jemi në fazë të hershme andaj nuk mund të japim informata të cilat mund të cenojnë hetimin”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Lidhur me këtë rast, Preportr në mars vitit 2025 kishte publikuar një hulumtim bazuar në një raport të Policisë së Kosovës se ekziston dyshimi i bazuar se Venhar Hana së bashku me Sami Mazrekun, kundërligjshëm kanë përfituar shumën prej 25 mijë euro neto secili në emër të shpërblimit për punën e kryer.
Lidhur me këtë vendim policia thekson se ka kërkuar procesverbalin e mbledhjes, përmes të cilit është marrë ai vendim, por në bazë të arkivit të Byrosë ai procesverbal nuk ekziston.
“Nga dëshmitë e mbledhura për këtë lëndë dyshohet se Sami Mazreku dhe Venhar Hana – udhëheqës i zyrës ligjore të Byrosë, si persona përgjegjës gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike në BKS, përmes përpilimit të dokumenteve me përmbajtje të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, kanë kryer veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike nga neni 284 paragrafi 1.2 të KPRK-së”, thuhet në raportin e policisë.
Ky rast ka kaluar në Prokurorinë Themelore në Prizren, pasi që fillimisht ishte deleguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Kjo e fundit kishte konsideruar se kjo vepër penale nuk bie në kompetencë të veçantë lëndore e as në kompetencë plotësuese të PSRK-së.
Përveç kësaj çështje, të gjitha pikat tjera të ngritura në raportin e Policisë së Kosovës, janë hedhur poshtë nga prokurorja e rastit, Ilirjana Çollaku – Tafa, duke e mbyllur rastin, edhe për dyshimet për marrëveshje jashtëgjyqësore të jashtëligjshme, për përmbarim të paligjshëm etj.
Te ky pretendim raporti i policisë ka theksuar se ka pasur falsifikim të dokumenteve për përmbarim të paligjshëm.
Në shkrimin e mëhershëm Preportr ka raportuar se sipas policisë, nga dëshmitë e mbledhura për këtë lëndë, ekziston dyshimi i bazuar se Sami Mazreku drejtor ekzekutiv i Byrosë, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, “duke përgatitur dokumentin zyrtar, propozim për përmbarim në të cilin shënon të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar e cila përmban të dhëna të rreme (ndryshuar përmbajtjen e aktgjykimit të plotfuqishëm C.nr.885/16 të datës 25.09.2019 të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Pejë) dhe e dërgon në zyrën e përmbaruesit privat ‘Vais Law’”.
Por, edhe këtë pikë e ka mbyllur prokurorja e rastit, me arsyetimin se pala e cila është dërguar në përmbarim e ka prapësuar përmbarimin përmes gjykatës, dhe rrjedhimisht nuk i është shkaktuar asnjë dëm.
Preportr pati dërguar pyetje në adresë të “Vais Law” dhe përmbaruesit Valdrin Beka (përmes e-mailit dhe telefonit). Ndërkohë, pas disa javësh ka kontaktuar edhe me zyrën e tij, të cilët na kanë thënë se do t’ia përcjellin porosinë. Por edhe pas pritjes për më shumë se katër muaj dhe insistimit nuk ka marrë përgjigje. Gjatë realizimit të hulumtimit, e pamundur ishte të kontaktohej edhe Sami Mazreku, përkundër insistimit disamujor.
Lidhur me këtë rast dhe pretendimet e policisë, Preportr ka dërguar pyetje me shkrim përmes emal-it dhe telefonit te Venhar Hana, ndërkohë ai është përgjigjur shkurt përmes telefonit se është shkruar mjaftueshëm për këtë çështje dhe se nuk ka se çka të thotë për këtë temë.
Venhar Hana po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor, ai në qershor të viit 2025 u arrestua lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve për një tjetër rast. Hana në tetor të vitit 2025 u lirua nga paraburgimi.
Keqmenaxhim i theksuar në Byro
Preportr në mars të vitit 2025 ka publikuar një hulumtim lidhur me menaxhimin në tërësi të Byrosë në vitet e fundit dhe ka siguruar një raport të brendshëm të ekzaminimit që Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e ka bërë në Byro. Ekzaminimi ka filluar me datën 6 korrik 2023 dhe ka përfunduar më 15 gusht 2023 duke përdorur të dhënat financiare të datës 31 dhjetor 2022 dhe të datës 31 mars 2023.
Gjetjet e këtij ekzaminimi tregojnë për një keqmenaxhim të theksuar në Byronë Kosovare të Sigurimit në disa segmente.
Sipas raportit ekzaminues, me veprimet që janë bërë në atë periudhë kohore, është shkelur Ligji për Sigurimet dhe rregulloret e brendshme të Byrosë.
“Auditori i brendshëm paraprak, i cili ka paraqitur të gjetura për trajtimin dhe pagesën e dëmeve në raportet e auditimit të brendshëm të prezantuara në vitin 2018, është larguar nga pozita e auditorit të brendshëm, meqenëse nuk i është vazhduar kontrata e punës”, thuhet ndër të tjera në raport.
Gjetja tjetër, tregon se byroja kishte të punësuar një zyrtar për komunikim me publikun me pagë në lartësi të pagës së drejtorit të departamenteve. Po ashtu kishte punësuar edhe këshilltar për marrëdhënie me institucione.
“Për zyrtarët në fjalë janë kërkuar raporte pune, ku do të dokumentohej angazhimi i tyre, mirëpo raportet respektive nuk janë ofruar nga Byroja”, thuhet në raport.
Nuk dokumentohet shpenzimi i 38 mijë euro për seminare
Gjithashtu janë evidentuar edhe shpenzime të tjera për të cilat nuk janë të arsyetuara. Për vitin 2022, sipas të dhënave të ofruara, shpenzimet e punëtorive janë në shumën prej 38 mijë euro, ku 25 mijë prej tyre janë paguar për agjensionin turistik “Sharr Travel” lidhur me shërbimet e akomodimit dhe transportit.
Raporti thekson se për këto pagesa në emër të udhëtimeve për punëtoritë e autorizuara nga kryeshefi ekzekutiv, përveç faturave dhe konfirmimeve bankare mbi pagesën e bërë, nuk është dokumentuar arsyeshmëria e tyre, sikurse punëtoritë e organizuara/qëllimi i ngjarjeve respektive, numri i pjesëmarrësve dhe elementet tjera. Po ashtu, byroja nuk ka argumentuar mënyrën e përzgjedhjes së subjektit në fjalë duke rezultuar me jotransparencë, thekson raporti.
Nga kompania “Sharr Travel” kanë thënë për Preportr se i kanë kryer këto shërbime për Byronë gjatë vitit 2022 sipas kërkesave të tyre, por edhe përkundër insistimit, nuk kanë ofruar të dhëna se për sa punëtori dhe pjesëmarrës kanë organizuar transportin dhe akomodimin.
Parregullsi janë evidentuar edhe në trajtimin dhe pagesën e dëmeve. Tabela më të dhënat e përmbledhura nga raporti i BQK-së tregon për mospërputhje të mëdha mes dëmeve të vlerësuara nga ekspertiza dhe pagesave që ka bërë Byroja.
