Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Sipas komunikatës, ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.
Tutje thuhet se, aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes.
“Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit”, thuhet ne njoftim.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kushtetuta është themeli i shtetit dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental.
PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit.