Ura në fshatin Smallushë të Lipjanit është shembur si shkak i reshjeve të mëdha të shiut që kanë përfshirë ditëve të fundit vendin, raporton Ekonomia Online.
Banori i këtij fshati, Murat Krasniqi për Ekonomia Online, ka treguar se një ditë më parë kishte vërejtur çarjet në urën e ndërtuar në vitet e 80-ta, por kishte menduar se kishte të bënte me asfaltin.
“Dje e kam pa që ka fillu ura me u ça, por e lashë, thash asfalti u ça. Unë e kam shtëpinë këtu, edhe një kojshi në mëngjes më thirri e tha ‘ura u rrëzu’. Ura u rrëzu për shkak të vërshimeve sepse e ka marrë uji përfundi. Kjo urë u ndërtu në vitet e 80-ta. I ndjeri Hamit Sopa e ka ndërtu me neve bashkëfshatarëve”, tregoi ai.
Për ta parë nga afër këtë thotë të ketë qenë edhe kryetari i Komunës, që i njëjti kishte thënë se do të rrëzohet por për ndërtimin e saj kishte thënë se duhet kohë.
“Ura u ra, sikur që po shihni. Kryetari ishte më herët, e tha që me hekë kanë me hekë, por rindërtimi do të marrë kohë”, tregoi banori.
Ndërsa ata nuk do të bllokohen për fatin se e kanë një rrugë alternativë nëpërmjet të cilës do të mund të lëvizin.
“Nuk kemi vështirë për të lëviz, sepse e kemi rrugën anësor poshtë fshatit”, shpjegon Krasniqi.



