Peja shpëton këtë herë nga vërshimet, Nikçi: kemi qëndruar mirë për shkak të intervenimeve të mëhershme

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 14:32 | Nga Diellza Gashi

Ndryshe nga herët e kaluara këtë herë Komuna e Pejës, nuk ka pësuar dëme nga reshjet e shiut, të cilat kanë përmbytur disa zona, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Punëve Komunale dhe Shërbimeve në Pejë, Agron Nikçi në një intervistë për Ekonomia Online tha se Peja qëndroi mirë këtë herë, për shkak të intervenimeve që komuna i ka bërë herë pas here.

“Siç e dimë vërshimet dhe reshjet që kanë qenë në të gjithë territorin e Kosovës poashtu ka pasur reshje edhe në territorin e Pejës por ne kësaj radhe kemi qëndru mirë për shkak të intervenimeve që i kemi bërë kohë pas kohe ne si komunë në disa kanale që kanë qenë të kaluara dhe shumë problematike për qytetin. kështu të gjitha këto kanale kanë qenë të qeta dhe nuk kanë dalë nga shtrati i tyre si kanali i Cokolisë që është i njohur, i zatrave dhe disa kanale të tjera. Kurse në disa pjesë në disa fshatra e lugut të Baranit, atje kemi pasë disa problematika, ku disa kanale kanë qenë të bllokuara nga gjësende të ndryshme dhe kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë vërshu në disa fusha dhe një pjesë të disa shtallave që janë lajmëru si raste. Këto raste i ka marr drejtoria e bujqësisë dhe e emergjencave i ka trajtu dhe tanimë situata është e qetë”, tregoi Nikçi.

Ai tha se asnjë rrugë nuk është e pakalueshme dhe se nuk ka pasë dëmë infrastrutkurore.

“Jo kësaj radhe dëme në infrastrukturë nuk kemi pasë as në qytet e as në fshatra, të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe siç e dimë pas vërshimeve vazhduan reshjet e borës dhe ne kemi zonën e Rugovës ku është zonë më e vështirë e kalueshme atje kemi ekipet tona dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës aty i kemi pastru sepse ka pasë vështirësi në kalim por jo nga vërshimet por nga reshjet e borës. Edhe sot jemi duke pastru rrugë atje edhe momentalisht nuk kemi ndonjë rrugë që nuk është e pakalueshme”, tha Nikçi.

Edhe Komuna e Pejës e ka hedhur një lajmërim për qytetarët ku i kanë njoftuar për komisionin e vlerësimit të dëmeve.

“Ne kemi hedh një lajmërim që komuna e ka komisionin e vlerësimit të dëmeve në kuadër së drejtorisë së emergjencave ju kemi bërë thirrje qytetarëve që kanë dëme si në ekonomi familjare, apo edhe në hapësira të tjera të vinë t’i bëjnë kërkesat te komisioni”, shpjegoi Nikçi.

Të ngjashme