“Fantazma” që duhet të na frikësojë edhe më shumë

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 17:36 | Nga Halil Berisha

Një imazh i një “fantazme”, i krijuar me Inteligjencë Artificiale, u shpërnda me shpejtësi ditët e fundit dhe u mor si i vërtetë jo vetëm nga qytetarë të zakonshëm, por edhe nga shumë media.

U bë lajm i madh. Jo sepse kishte rëndësi reale, por sepse solli klikime, shikime dhe reagime, shumë më tepër sesa shumica e lajmeve të përditshme të prodhuara nga vetë redaksitë.

Kjo nuk është rastësi.

Është dëshmi se një pjesë e mediave, nga prijëse të informimit publik, janë shndërruar në prijëse të keqinformimit, shpesh pa verifikim minimal dhe pa përgjegjësi profesionale.

Ky rast tregon gjithashtu se qytetarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe skeptikë ndaj gjithçkaje që shohin online, veçanërisht kur përmbajtja është sensacionale, frikësuese dhe e pazakontë.
Në vetvete, kjo “fantazmë” nuk shkaktoi dëm serioz. Frikësoi ose ngjalli kureshtje tek disa persona, por asgjë më shumë.

Megjithatë ajo zbuloi diçka shumë më të rrezikshme:
👉 Kombinimi i Inteligjencës Artificiale,
👉 moskujdesit dhe paditurisë së disa mediave,
👉 dhe shpërndarjes masive nga qytetarët në rrjete sociale,
krijon një terren ideal që aktorë keqdashës, përfshirë armiq të vendit, ta shfrytëzojnë për të:

  • krijuar panik
  • përhapur mjegull informative
  • nxitur përçarje
  • madje edhe trazira
    Sot ishte një “fantazmë”, e nesër mund të jetë një incident, krizë, apo një kërcënim sigurie i fabrikuar.
    Në epokën e AI, verifikimi është domosdoshmëri. Dhe përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qytetarët, por sidomos mbi mediat.
    Ky rast duhet të shërbejë si mësim, jo si humor i radhës në internet.

Të ngjashme