Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka folur sot në një konferencë për media për përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në PDK ndërsa hezitoi të tregoj qëndrimin e PDK-së për votimin e presidentit, raporton Ekonomia Online.
I pyetur rreth përgatitjeve për zgjedhje të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, Mustafa tha se vendimi për nisjen e këtij procesi tashmë është marrë nga Kryesia e partisë, por pa dhënë një afat të saktë kohor për zhvillimin e tij.
“Sigurisht që Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për përgatitjen për zgjedhjet dhe, po ashtu, do të caktohet kohëzgjatja e këtij procesi. Ne duam të përgatitemi për një proces serioz; përgatitjet e duhura do të bëhen dhe nuk kam një datë të caktuar”, tha ai.
Ndërkohë, duke u pyetur për marrëveshjet ndërkombëtare dhe për çështjen e presidentit, Mustafa theksoi se PDK do të dalë me qëndrime të qarta edhe për këto tema, por se fokusi i konferencës së sotme ishte kriza energjetike.
“Sigurisht që PDK do të dalë me qëndrime të qarta për të gjitha këto tema që janë pjesë e punës sonë, por sot ju kemi ftuar për krizën energjetike, ndërsa për të gjitha temat e tjera do të keni përgjigje herëve të tjera”, tha ai.
Mustafa përmendi edhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike nga muaji prill, duke e cilësuar atë si të papranueshme për qytetarët dhe tha se me krijimin e komisionit hetimor PDK do të kërkoj llogaridhënie.
“Sigurisht që po, edhe tani kemi thënë edhe ZRRE-ja edhe çdo institucion tjetër në rend të parë duhet ta ketë interesin publik. Rritja e energjisë që ka qenë dhe që pritet të bëhet është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
