Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se ky veprim buron nga standardet politike që vetë LDK-ja i ka ndërtuar ndër vite.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami ka bërë të ditur se kërkesa e saj është parashtruar në mbledhjen e djeshme të LDK-së.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja”, ka shkruar ajo.
Duke u thirrur në të njëjtin standard të përgjegjësisë politike, Bajrami ka njoftuar se ka ofruar edhe dorëheqjen e saj nga pozita e nënkryetares së partisë.
“Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka theksuar ajo.
Bajrami ka sqaruar se ky veprim, sipas saj, nuk është personal apo emocional.
“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për situatën politike në vend, duke theksuar rrezikun e përqendrimit të pushtetit.
“Sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit kanë bërë që lidershipi dhe organet e LDK-së të humbin legjitimitetin.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, ka theksuar ajo.
Bajrami ka ritheksuar rolin historik të LDK-së në mbrojtjen e shtetit dhe institucioneve.
“LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka falënderuar votuesit dhe ka konfirmuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik.
“Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së”, ka përfunduar ajo, duke shtuar se “LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, shtoi ajo.