Selmanaj uron drejtorët e rinj të LDK-së në Prizren: Angazhim në shërbim të interesit publik

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka uruar drejtorët e rinj nga radhët e LDK-së, të cilët kanë marrë përgjegjësi drejtuese në kuadër të bashkëqeverisjes në Komunën e Prizrenit.

Përmes një postimi, Selmanaj ka përgëzuar emërimet e reja, duke i cilësuar ato si dëshmi të besimit dhe përgjegjësisë për të shërbyer qytetarëve me përkushtim dhe profesionalizëm.

“Urime dhe suksese drejtorëve të rinj nga radhët e LDK-së, të cilët kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme në kuadër të bashkëqeverisjes në Komunën e Prizrenit”, ka shkruar Selmanaj.

Ai ka bërë të ditur se pozitat drejtuese janë marrë nga: Sylejman Baxhaku si Drejtor i Shëndetësisë, Ajlin Shishko si Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, Florent Ukaj si Drejtor i Urbanizmit, Nderim Kadriaj si Drejtor i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Fatmir Memaj si Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas Selmanajt, ky angazhim institucional përfaqëson një zotim të qartë për shërbim ndaj interesit publik.

“Ky angazhim është dëshmi e besimit dhe përgjegjësisë për të shërbyer me përkushtim, vullnet dhe profesionalizëm, në funksion të interesit publik dhe për të mirën e qytetarëve të Prizrenit”, ka theksuar ai.

Selmanaj ka nënvizuar se LDK do të vazhdojë të kontribuojë në qeverisjen lokale me standarde të larta.

“LDK do të vazhdojë të kontribuojë me nder, transparencë dhe standarde të larta profesionale, duke qenë në shërbim të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetit tonë. Na priftë e mbara”, ka përfunduar Selmanaj.

Të ngjashme