ATK feston 26-vjetorin, vlerësohet institucion kyç i shtetit të Kosovës

Prishtinë | 19 Jan 2026 | 11:01 | Nga Gzim Mujaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar 26-vjetorin e themelimit me një konferencë zyrtare, ku u theksua roli i saj si shtyllë kyçe e funksionimit të shtetit dhe e sovranitetit fiskal të Kosovës, ndërsa udhëheqës institucionalë dhe ish-zyrtarë vlerësuan kompromise, reforma dhe vizionin për modernizimin e ATK-së, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna tha se ATK-së, është institucion themelor për funksionimin e shtetit dhe për kthimin e sovranitetit fiskal të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e konsideron ATK-në një shtyllë kyçe të qeverisjes së mirë dhe drejtësisë fiskale, ndërsa të hyrat e mbledhura nuk janë thjesht shifra buxhetore, por mjete për arsim, shëndetësi, zhvillim social, ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

“Sot shënojmë 26-vjetorin e ATK-së, një institucion themelor për funksionimin e shtetit dhe për kthimin e sovranitetit fiskal të Republikës së Kosovës. ATK është ndërtuar paralelisht me shtetin tonë, nga një administratë e krijuar në rrethana të vështira, në një institucion model profesional dhe të besueshëm. Kontributi saj ka qenë vendimtar për stabilitetin fiskal, ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Si Qeveri e Republikës së Kosovës e konsiderojmë ATK-në një shtyllë kyçe të qeverisjes së mirë dhe drejtësisë fiskale. Të hyrat e mbledhura nuk janë thjesht shifra buxhetore, mirëpo janë mjete për arsim, shëndetësi, zhvillim social, ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se administrata ka nisur një qasje të re për modernizimin e institucionit, me theks në filozofinë “më pak ndëshkime, më shumë këshilla”.

 Hyseni shtoi se asnjë reformë fiskale apo digjitale nuk mund të realizohet pa burime njerëzore të kualifikuara, duke bërë të ditur se ATK po planifikon rekrutim të stafit të ri, ndërsa stafi ekzistues do të ketë rol kyç në bartjen e dijes dhe përvojës tek gjeneratat e reja.

“Fillimisht duhet të njoftoj me një qasje të re që kemi filluar që ta modernizojmë ATK-në, kryesisht me qasjen tonë më pak ndëshkime, më shumë këshilla. Asnjëherë nuk është e lehtë që të implementohet ligji nëse nuk ka vullnet te tatimpaguesi. Si faktor i dytë është procesi i digjitalizimit që po mundohemi të bëjmë si proces. Asnjë reformë fiskale ose digjitale nuk mund të bëhet pa një pjesë të resurseve njerëzore të kualifikuara. Ideja e dytë ka të bëjë me një reformë që po mundohemi të bëjmë për burimet njerëzore, që do të rekrutojmë një numër të madh të stafit të ri, ndërsa pjesa e stafit të vjetër do të kenë mundësinë ideale për të përcjellë procesin, dijen dhe vullnetin e tyre te punëtorët e rinj që do t’i bashkohen ATK-së”, tha ai.

Ish-këshilltari në ATK, Florian Mima, rikujtoi fillimet e vështira të administratës tatimore pas luftës, duke thënë se në vitin 2000 mungonin ligjet, procedurat dhe infrastruktura bazë, por ekzistonte vullneti për të ndërtuar shtetin dhe besimin.

Ai tha se gjenerata e parë e inspektorëve kishte mbi supe një barrë të rëndë dhe një përgjegjësi morale, pasi Kosova për herë të parë po niste të mblidhte tatimet e veta, duke e cilësuar këtë proces si një mision për ndërtimin e institucioneve dhe funksionimin e shtetit.

“Ishte goxha kohë e vështirë pasi mungonte gjithçka duke filluar nga ajo që ishte kryesorja, që ligjet nuk ishin të zhvilluara, mungonin procedurat, madje nuk kishim edhe ndonjë zyrë që ishim gjithë aty bashkë. Por kishim diçka të veçantë, kishim vullnetin për të ndërtuar shtetin, procedura, kishim vullnet të krijojmë besim. Pra, si gjeneratë ishte një barrë goxha e rëndë në supet tona. Po flasim për vitin 2000, kur ne pritnim që të fillojmë si inspektorë të parë, do dilnim në terren, kur Kosova si shtet për herë të parë do të fillonte të mblidhte tatimet e veta. Ishte një mision, përgjegjësi morale”, ka thënë ai.

Të ngjashme