Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka treguar se deri në fazën e tanishme hetimore nuk ka kandidatë për deputetë të cilët janë intervistuar, apo ndaluar por ka thënë se Prokuroria do t’ua jap mundësinë që të thonë fjalën e tyre nëse janë dëmtuar, raporton Ekonomia Online.
“Prokuroria udhëhiqet gjithmonë me prova, drejtësia kërkon të flasim me gjuhën e fakteve. Ne deri në këtë fazë jemi duke vepruar drejtpërdrejt ndaj atyre që kanë keqpërdorur votën, pra kanë keqpërdorur rezultatet. Ata kanë vendosur firmat e tyre, kanë vendosur nënshkrimet e tyre dhe është e tyre të bashkëpunojnë me ne. Deri në këtë fazë nuk kemi informacione që e involvojnë drejtpërdrejt ndonjë kandidat për ndërhyrje, mirëpo unë besoj që edhe kandidatët do të dëgjohen edhe në Prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë t’i sigurojmë provat në cilësinë e të dyshuarve, padyshim që ne kemi dëgjuar edhe deklaratat e tyre mediale, shumë prej tyre, pa përjashtim të subjekteve politike, që ata ndihen të dëmtuar për shkak të imazhit. Kështu që Prokuroria do t’ua ofrojë këtë mundësi që të merren të paktën në cilësinë e të dëmtuarve, t’ua japë mundësinë që t’i bashkëngjiten ndjekjes penale, të parashtrojnë edhe kërkesë pasurore-juridike dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar”, tregoi Kryeziu.
Në gjithë këtë mes, ai ka thënë se nuk do të ketë kompromis për asnjë dhe ndaj askujt që u përfshi në këtë manipulim.
“Përndryshe, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i sigurojmë për secilin prova. Dhe dihet që do të jemi pa kompromis, ndaj kujtdo, ndaj kujtdo që ka prova për të ndërmarrë vendime”, tha ai.