Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore”, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.
Sipas komunikatës, auditimi do të përfshijë periudhën 2023–2025 dhe ka për qëllim vlerësimin e mënyrës se si Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. menaxhon rrjetin e shpërndarjes së energjisë termike, me fokus në sigurimin e furnizimit të barabartë, matjes së saktë dhe ngrohjes së qëndrueshme për konsumatorët.
ZKA bën të ditur se përmes këtij auditimi synohet edhe identifikimi i mangësive që ndikojnë në cilësinë, besueshmërinë dhe koston e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.
Në komunikatë theksohet se sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë mbulon mbi 2.1 milionë metra katrorë hapësira banimi, komerciale dhe institucionale. Megjithatë, bazuar në shqetësimet e ngritura nga mediat dhe qytetarët, pavarësisht investimeve të realizuara, sistemi vazhdon të përballet me humbje të larta në rrjet dhe furnizim të pabarabartë të ngrohjes.
Sipas ZKA-së, këto problematika janë shoqëruar me ankesa nga konsumatorët dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.