Hana Orllati kalon audicionet e “The Voice of Finland”

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 10:39 | Nga Ekonomia Online

Hana Orllati nga Kosova ka tërhequr vëmendjen në skenën e spektaklit “The Voice of Finland”, duke sjellë emocione të forta përmes interpretimit të saj mbresëlënës. Ajo u paraqit me këngën “How I Was Supposed To Live Without You”, me të cilën arriti të kalojë me sukses fazën e parë të këtij kompeticioni të njohur ndërkombëtar të këndimit.

Performanca e saj u shoqërua me reagime shumë pozitive nga juria dhe publiku, të cilët vlerësuan fuqinë dhe sigurinë e zërit të saj, si dhe interpretimin emocional në skenë.

Angazhimi i Hanës në muzikë ka filluar që në moshë të vogël. Që fëmijë ajo ka treguar prirje të veçantë për artin, ndërsa vetëm 10 vjeçe mori pjesë në edicionin e “The Voice of Albania”, duke shënuar hapat e parë në skenat e mëdha.

Gjatë viteve, ajo ka qenë pjesë e një sërë koncertesh për fëmijë në Kosovë, duke fituar përvojë dhe duke ndërtuar gradualisht rrugëtimin e saj artistik. Hana Orllati është gjithashtu e diplomuar në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku ka zhvilluar më tej formimin e saj profesional.

Të ngjashme