Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca i ka reaguar Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës rreth paralajmërimeve për erëra të forta për të dielën, e për çka thonë se të gjitha njoftimet e Komunës, bazohen në informatat zyrtarë të siguruar pikërisht nga IHMK.
“Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca dëshiron të sqarojë qytetarët lidhur me informatat dhe paralajmërimet që publikon në mënyrë të rregullt përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet tona bazohen ekskluzivisht në informata zyrtare, të siguruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe institucione të tjera kompetente. Qëllimi i këtyre komunikimeve nuk është krijimi i panikut, por informimi në kohë, i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve”, shkruhet në faqen e kësaj drejtori në rrjetin social ‘Facebook’.
Përmes kësaj ata thonë se tentojnë të vendosin standard të ri të komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparent me qytetarët.
“Përmes këtij komunikimi, Drejtoria synon të vendosë një standard të ri të komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparent me qytetarët e Kryeqytetit, duke vepruar në përputhje me obligimin ligjor që institucionet publike kanë për të garantuar të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në kohë reale për rreziqet e mundshme. Informimi i hershëm dhe korrekt u mundëson qytetarëve të marrin masa parandaluese dhe të jenë më të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të shkaktuara nga dora e njeriut, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e përkushtuar që çdo njoftim të jetë: • i bazuar në burime zyrtare, • i qartë dhe i përgjegjshëm, • në funksion të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve të Kryeqytetit”, thuhet në reagimin e Drejtorisë.