Ndarja e rezultateve dhe qëndrimi kundër i VV-së për “Srpskan”: Cakolli: Absurde, përgjegjësi mban edhe Radoniqi që lejoi

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për shpalljen e rezultateve që është bërë sot nga KQZ. Sipas tij, përveç shkeljes fillestare të shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, KQZ ka bërë edhe një shkelje tjetër duke formalizuar praktikën e kundërligjshme të lejimit të shpalljes së rezultateve të pjesshme, vetëm për disa parti politike.

“Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve”, ka shkruar Cakolli në reagimin e tij.

Sipas Cakollit, ajo që ndodhi në mbledhjen e KQZ-së është absurde dhe të gjithë ata që s’kanë votuar për, do të duhej të drejtonin ankesat e tyre lidhur me rezultatet.

“Prandaj ajo që ndodhi sot është absurde. Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – sot KQZ shkoi edhe një hap më tej dhe formalizoi një praktikë tërësisht të kundërligjshme, duke shpallur rezultate ‘të pjesshme’, pra, vetëm për disa subjekte politike.

Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve. Po aq e rëndësishme, kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet opinion politik i papërcaktuar, pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore.

Prandaj ajo që ndodhi sot është absurde. Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike.

Në këtë mënyrë, KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo. E për këtë, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së që lejoi ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore.

E mbi të gjitha, problemi kryesor nuk është vetëm dita e sotme, por precedenti që po krijohet. Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve. Dhe kjo është arbitraritet institucional, pa asnjë dilemë.

Të ngjashme