Organizata e Veteranëve ka përkujtuar sot 29-vjetorin e rënies së nismëtarëve të lirisë Edmond Hoxha, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu, me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule, në praninë e shumë bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe qytetarëve.
Në njoftimin e publikuar, organizata thekson se këta dëshmorë “thyen heshtjen dhe i treguan botës se Kosova ka bijtë e vet dalëzotës, të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për shtet”.
Po ashtu, gjatë kësaj dite është përkujtuar edhe Dëshmori i Kombit Ragip Hasanmetaj, në Strellc të Epër.
“Sakrifica dhe gjaku i tyre u bënë themel i lirisë sonë dhe do të jetojnë përjetësisht në kujtesën kombëtare”, thuhet më tej në postim.
Organizata e Veteranëve ka përfunduar mesazhin me thirrjen: “Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit!”.