Irani paralajmëron SHBA-në: Raketat tona balistike janë në pozicion, jemi më të përgatitur se kurrë

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje të re bërthamore, për sa kohë që ajo respekton karakterin paqësor të programit bërthamor iranian dhe shoqërohet me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas Araghchit, një marrëveshje e tillë mund të hapë rrugën për bashkëpunim ekonomik në fusha si energjia dhe projekte të tjera me interes të ndërsjellë. Ai theksoi gjithashtu se Irani nuk i ka përjashtuar kurrë Shtetet e Bashkuara nga projektet e tij ekonomike.

Duke iu referuar tensioneve rajonale dhe përvojave të mëparshme ushtarake, kryediplomati iranian tha se vendi ka nxjerrë mësime të rëndësishme nga konfliktet e kaluara dhe ka forcuar aftësitë mbrojtëse:

“Raketat tona balistike janë në pozicion, forca jonë mbetet e paprekur dhe ne jemi më të përgatitur se kurrë.”

Araghchi dërgoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo sulm ndaj Iranit do të përballej me një kundërsulm të shpejtë, tronditës dhe shumë të fuqishëm:

“Ne kemi aftësinë të mbrojmë veten dhe nuk kemi nevojë për askënd tjetër.”

Ndërkohë, SHBA-ja ka dërguar disa aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, pas ultimatumit të presidentit amerikan drejtuar Iranit, duke rritur tensionet në rajon.

Të ngjashme