I akuzuari për vrasjen e argjentinases u drejtohet prindërve të saj: Kërkoj vetëm drejtësi për Klarën

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 16:46 | Nga Gzim Mujaj

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë seancës gjyqësore ndaj Ardian Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë, i pandehuri ka lexuar një letër drejtuar prindërve të viktimës, duke shprehur ngushëllime dhe duke thënë se edhe ai kishte humbur personin më të shtrenjtë në jetën e tij, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se e kuptonte që ata e shihnin ndryshe dhe e fajësonin për atë që kishte ndodhur, por kërkoi që të besohej se edhe ai kishte humbur njeriun më të shtrenjtë në jetën e tij.

I akuzuari theksoi se edhe vetë dëshironte vetëm që drejtësia të vihej në vend për Klarën.

“Së pari dua t’iu drejtohem prindërve të Klarës me do fjalë, me gjithë zemër që jam para jush jo si personi që e dashuroj çikën e juaj, por mes kësaj tragjedie të rëndë me krejt shpirtin ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella. E di që më shihni ndryshe dhe më fajësoni, por ju lutem të më besoni se edhe unë e humba sendin më të shtrenjtë që kam pasur në jetë. Dhimbja është e njëjtë. Ju uroj shumë forcë dhe unë si ju ju dëshiroj vetëm drejtësi për Klarën”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Endrit Nika, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, me dashje për ta privuar nga jeta, kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.

Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokuroria vazhdon të mbrojë qëndrimin se Endrit Nika e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke e cilësuar rastin si vrasje të kryer me dashje.

Të ngjashme