Avokati Arianit Koci ka ngritur çështjen e arrestimeve të shqiptarëve nga autoritetet serbe, e ku nënvizon komentet dhe reagimet që bëjnë qytetarët që thotë se “A mundeni me besu se ka njerëz që po i gëzohen arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe”.
Ai thotë se të tillë nuk janë pak dhe ushqehen me fatkeqësinë e tjetrit.
“A mundeni me besu se ka njerëz që po i gëzohen arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe. E ky lloj reagimi shfaqet rregullisht sa herë ndalohet një qytetar i Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi, sidomos ish-ushtarë të UÇK-së. Ky profil i përçudnuar i qytetarit – të tillë nuk janë pak; ushqehet me fatkeqësinë e tjetrit dhe e përdor kundër popullit të vet. Kanë deficit patriotik dhe deficit të njerëzillëkut. Shfaqen në komente me fyerje, tallje e përqeshje, duke i përdorë sulmet dhe sharjet ndaj tjetrit për me i mbulu dështimet dhe frustrimet e veta në jetë”, ka shkruar Koci.
Koci ka shtruar edhe pyetjen se a do të ketë kush të reagojë nëse ai arrestohet në Serbi për shkak sic potencon rreziqeve me të cilat përballet.
“Kjo më çon te pyetja kryesore: nëse nesër më arrestojnë mua në Serbi – pas gjithë rreziqeve me të cilat përballem dhe pas gjithë asaj pune pa asnjë kompensim, a do të ketë kush që e ngrit zërin për mua? Apo do të ketë sërish komente që i gëzohen arrestimit tim? Sidoqoftë, mu ky lloj qytetari është ideal për m’u manipulu. Reagon me impuls, beson qorrazi ndaj fjalës së fortë dhe mesazhit primitiv. Politikani që e manipulon këtë votues me rrena e premtime mund të fitojë përkrahje momentale, por po ndërton një elektorat të cenueshëm; një elektorat që e dëmton shtetin e Kosovës dhe e dobëson shoqërinë. Ia shkatërron moralin”, ka shkruar avokati Koci.