Selimaj: Parimi i legalitetit është shkelur në kërkesën e Prokurorisë së Specializuar

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Avokati Meshari Selimaj ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë, e cila, sipas tij, ka kërkuar dënime deri në 180 apo 45 vite burgim për secilin nga të akuzuarit, duke e cilësuar këtë qasje si shkelje flagrante të parimit të legalitetit.

Në një postim publik, Selimaj ka deklaruar se një kërkesë e tillë nuk ka bazë as në prova e as në ligjin penal që ka qenë në fuqi në kohën e pretenduar të kryerjes së veprave penale.

“180 vite apo 45 vite burgim për secilin prej tyre i paska kërkuar Prokuroria e Specializuar në Hagë. Një kërkesë shabllone si kjo nuk gjen bazë as në prova, por madje as në ligj”, ka shkruar Selimaj.

Ai ka sqaruar se, sipas Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, i cili ka qenë në fuqi në periudhën për të cilën pretendohet se janë kryer veprat, dënimi maksimal për këto lloje veprash ka qenë deri në 15 vite burgim ose dënim kapital.

“Duke qenë se dënimi kapital me vdekje është abroguar në kontinentin evropian shumë kohë më parë, kjo kërkesë është qesharake dhe nuk i bën nder as edhe vendit ku mbahet ky gjyq special”, ka theksuar ai.

Selimaj ka rikujtuar parimin e legalitetit, sipas të cilit dënimi për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ai i parashikuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.

“Parimi i Legalitetit parasheh që dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së saj”, ka shkruar Selimaj, duke shtuar se përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ligji i mëvonshëm është më i favorshëm për të akuzuarin.

Në fund, avokati ka paralajmëruar se nëse edhe gjykata në Hagë e konsideron të pranueshme një kërkesë të tillë, atëherë shpresa e vetme mbetet Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Nëse edhe për gjykatën një gjë e tillë merret e mirëqenë, atëherë shpëtimi i vetëm mbetet Gjykata në Strasburg, pasi që të gjithë janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Ky mund të jetë shpëtimi ynë”, ka shtuar Selimaj.

Të ngjashme