Pacolli për kërkesën e Prokurorisë së Hagës: Rrezikon të cenojë perceptimin e paanshmërisë së procesit

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 22:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj kërkesës së fundit të Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pacolli e ka cilësuar pretencën e Prokurorisë si një veprim që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe që rrezikon besueshmërinë e vetë procesit gjyqësor.

Sipas ish-presidentit, lartësia e dënimit të kërkuar është joproporcionale dhe dëmton imazhin e paanësisë së Gjykatës Speciale.

“Kërkesa e prokurores për dënim me 45 vite burgim ndaj krerëve të UÇK-së paraqet një qasje të padrejtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë. Një kërkesë e tillë rrezikon të cenojë perceptimin e paanshmërisë së procesit dhe besimin publik në vendimmarrje të drejtë,” ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka theksuar domosdoshmërinë që lufta e UÇK-së të shihet përmes prizmit të saktë historik, duke kërkuar që çdo vendim të bazohet në prova konkrete dhe jo në qasje të përgjithsuara.

“Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ka qenë një realitet historik dhe politik që duhet të trajtohet brenda kontekstit të saj të plotë,” theksoi ai.

Ai shtoi se drejtësia dhe çdo kërkesë eventuale për dënim “duhet të mbështetet në prova të qarta, në përgjegjësi individuale dhe në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare, si dhe të normave e standardeve universale.”

Të ngjashme