Sot pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka kërkuar që çështjet jetike të këtij institucioni të trajtohen me prioritet të plotë institucional.
Në një komunikatë për media, SPERTK thekson se ky është një moment i rëndësishëm për të adresuar problemet që, sipas tyre, po e rëndojnë funksionimin e transmetuesit publik.
“Sot pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, themeluesit të Radiotelevizionit të Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm institucional, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon që çështjet jetike të këtij institucioni të trajtohen me prioritet dhe përgjegjësi të plotë”, thuhet në reagim.
Sindikata ka kërkuar që paga e 13-të për punëtorët e RTK-së të realizohet përmes rritjes së buxhetit të institucionit, në përputhje me vendimin e marrë për gjithë sektorin publik.
“RTK funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë dhe nuk mund të trajtohet si institucion periferik apo dytësor”, thekson SPERTK.
Me rastin e miratimit të buxhetit për vitin 2026, sindikata kërkon rritje reale të buxhetit të RTK-së, duke vlerësuar se fondet aktuale janë të pamjaftueshme për funksionimin normal të shërbimit publik medial dhe për përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve.
Sipas tyre, RTK ndodhet në një situatë serioze institucionale, pasi të gjitha pozitat drejtuese aktualisht mbahen me ushtrues detyre.
“RTK ndodhet në një situatë serioze institucionale: të gjitha pozitat drejtuese janë me ushtrues detyre, gjë që ka paralizuar vendimmarrjen dhe ka krijuar pasiguri funksionale dhe menaxheriale. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë”, thuhet në komunikatë.
SPERTK i ka bërë thirrje Kuvendit që të emërojë pa vonesë Bordin e ri të RTK-së, duke paralajmëruar se zvarritja e këtij procesi po i shkakton dëm të drejtpërdrejtë institucionit dhe misionit të tij publik.
“Zvarritja e këtij procesi po i shkakton dëm të drejtpërdrejtë institucionit, punëtorëve dhe vetë misionit publik të RTK-së”, thekson sindikata.
Njëkohësisht, pas themelimit të Komisionit për Media, SPERTK kërkon rritje të vëmendjes institucionale ndaj RTK-së si shërbim publik me rëndësi strategjike për informimin e qytetarëve.
Sindikata ka ngritur shqetësim edhe për mungesën serioze të stafit, duke theksuar se në shumë sektorë ka vende të zbrazëta për shkak të pensionimeve, ndërsa disa njësi funksionojnë nën minimumin e nevojshëm të punëtorëve, situatë që rrezikon cilësinë e programit dhe interesin publik.
SPERTK ka paralajmëruar masa sindikale nëse kërkesat nuk adresohen.
“Nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapa konkretë dhe nuk adresojnë këto kërkesa në mënyrë të menjëhershme, SPERTK do të detyrohet që, në përputhje me ligjin, të ndërmarrë masa sindikale, përfshirë edhe organizimin e grevës. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe stabilitetin e shërbimit publik”, thuhet tutje në njoftim.