Haxhiu si kryetare e Kuvendit: Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Pasi mori 66 vota “për”, Albulena Haxhiu mbajti fjalën e parë të saj si kryetare e Kuvendit të Kosovës, ku nga foltorja e Kuvendit tha se me respektin e qytetarëve do t’ua kthejë me punën e përditshme, duke theksuar se Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Ajo foli edhe për seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, dhe agresori ishte Serbia.

“Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbanë dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu dhe këtë besim do ta nderojë me punë të përditshme, transparencë por po ashtu edhe me përkushtim të plotë të qenurit në krye të Kuvendit, do të thotë t’i shërbesh republikës, rendit demokratik dhe besimit publik. Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, edhe e atyre që pajtohen me ne dhe atyre që mendojnë ndryshe sepse shteti i shërben të gjithëve”, tha ajo.

Haxhiu tha se në Kuvend sot debatohet lirshëm falë sakrificës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri përfshirë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributit të madh të grave dhe burrave që dhanë gjithçka për vendin. E sot këtu në këtë pasdite vijmë ku pas tërë ditësh kishim seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK. Historia e popullit shqiptar është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK ka qenë e drejtë dhe për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori e kush ka bërë krime në vendin tonë, ato janë të regjistruara e të dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë asnjëherë nuk u përballë me drejtësinë në mënyrë serioze. Përkundra kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Ne presim që ish krerët e UÇK-të të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë dhe për këtë duhet të jemi bashkë. Prandaj, të dashur deputet në veçanti për çështje që prekin interesin kombëtar duhet të flasim me zë të qartë e të kemi qëndrim të përbashkët me zotimin që kjo Republikë ka institucione që u dalin zot edhe në momentet më të vështira”, theksoi ajo.

Haxhiu u zotua se do të jetë e paanshme dhe se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë deputetët.

“Ju sigurojë që detyrën e Kryetares së Kuvendit do ta ushtrojë me paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional. Dera ime do të jetë e hapur për çdo deputet që sjell ide, kritik apo propozim që e përforcon një Kuvend funksional dhe një Republikë moderne. Ju ftojë që dallimet tona t’i kthejmë në energji që na shtynë përpara për tu përballur me përgjegjësitë e mëdha që na presin. Kosova e meriton një Kuvend që punon me dinjitet dhe përgjegjësi, qytetarët meritojnë një politik që i dëgjon, që vepron dhe që e mban fjalën. Kjo është puna që na pret dhe këtë standard do ta ndjek  secilën ditë të këtij mandati. Le ta shfrytëzojmë këtë mandat për të ndërtuar besim, për të forcuar institucionet dhe për ta çuar vendin përpara”, tha ajo.

Të ngjashme