Krejt çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

Prishtinë | 12 Shk 2026 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve, ka paraqitur një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke vënë theks të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon.

Një nga zotimet kryesore është investimi prej 1 miliard eurosh në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e aleancave strategjike, rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe shumëfishimin e numrit të oficerëve. Po ashtu, ai ka premtuar funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake vendore dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”, duke synuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe vetëqëndrueshmërisë së vendit në fushën e sigurisë.

Në planin e politikës së jashtme, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të vazhdojë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai ka nënvizuar se ky proces shihet si rregullim i marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, pa ndërhyrje në çështjet e brendshme, duke premtuar se qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në çdo pjesë të territorit të Kosovës.

Kurti ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal, mbi parimet e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë. Sipas tij, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për paqen dhe sigurinë, ndërsa qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që veprojnë mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

Kurti ka thënë se në mandatin e ardhëm për herë të parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 eurosh.

Në aspektin social, ai ka premtuar vazhdimin e politikave për zvogëlimin e pabarazisë, duke përmendur mbështetjen për lehonat dhe nisjen e projektit “Superpuna për gratë”. Ky projekt parasheh që për çdo grua të punësuar, qeveria të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj. Gjithashtu, është premtuar mbështetje shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me nga 100 euro shtesë mujore mbi pensionin bazë, me synim forcimin e familjes dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Të mërkurën pas konstituimit të Kuvendit është mbajtur edhe seanca për formimin e Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur edhe kabinetin e tij qeverisës. Ndryshe prej mandatit të kaluar, ky kabinet do t’i ketë 19 ministri, katër më shumë se kabineti i kaluar.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Ekspozeja ime për kabinetin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar anëtarë të kabinetit të ri qeveritar,

Të nderuar ambasadorë dhe anëtarë të korit diplomatik,

Familje të dëshmorëve të kombit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës znj. Albulena Haxhiu,

Nënkryetar Ardian Gola, dhe ju nënkryetarë të tjerë të porsa zgjedhur,

Më lejoni që t’ju përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së dhjetë, dhe për funksionet dhe përgjegjësitë e reja që keni marrë. Ju faleminderit të gjithëve për përkushtimin që tregoni ndaj shtetit tonë të përbashkët.

Këto dy seanca po i mbajmë pasditen e mbrëmjes sontë sepse këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësore ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë për dënimin prej 45 vitesh burgim për secilin ku përfshihen edhe pretendimet për krime kundër njerëzimit, është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare.

Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë drejtoj është i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm. Është shtrembërim faktik e historik. Për familjet e viktimave, është i padurueshëm përveçse i papranueshëm.

Të nderuar deputetë,

Një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, jam i nderuar që para jush të paraqes ekspozenë për mandatin e ardhshëm si Kryeministër i Republikës. Meqë shumica e elementeve programore dhe zotimeve konkrete tashmë janë paraqitur publikisht në këtë sallë me 26 tetor, do të përpiqem të jem sa më i shkurtër dhe të prezantoj kabinetin e ri qeverisës.

Këto gati pesë vitet e fundit, nga të cilat pothuajse një vit si qeveri në detyrë pra pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartën në rajon, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni, me një rritje mesatare reale prej 6% të Bruto Produktit Vendor, duke mos rënë asnjë vit nën 4%. Kur e morëm përgjegjësinë për të udhëhequr vendin, Bruto Produkti Vendor ishte rreth 7 miliardë euro. Vjet, me punë të ndershme dhe politika të drejta, ka arritur në 11 miliardë euro, ndërkaq projektojmë që sivjet BPV-ja të arrijë në 12 miliardë euro. Për herë të parë, në mandatin e ardhshëm, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 euro.

Sfidën e inflacionit që ka goditur të gjithë kemi arritur ta menaxhojmë me politika mbështetëse për qytetarin dhe jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon, pas Shqipërisë. Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë, si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes duke ngritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%. Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro në muaj. Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur në shtet por e kemi shpërndarë në popullsi duke shtuar mirëqenien shoqërore. Shtesat për fëmijë sot janë 30 deri në 45 euro për çdo fëmijë, ndërkaq në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra, nga 0 sa i gjetëm në 45, dhe në mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë për familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje, do të lëmë prapa edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë. Njashtu, edhe shtesat për nënat e reja, lehonat, do t’i rrisim në 500 euro në muaj për 6 muaj.

Në afër 1,800 ditë qeverisje kemi marrë gjithsej mbi 2,700 vendime. Qeveria jonë ka mbajtur gjithsej 286 mbledhje fizike dhe online, një mesatare prej afër 60 mbledhjesh në vit, apo, edhe më shpesh se njëherë në javë. Nga vendimet e Qeverisë, 320 kanë qenë projektligje, 72 koncept dokumente dhe 20 nisma legjislative. Pra, rreth 17% e tyre kanë pasur karakter legjislativ (përafërsisht një në gjashtë vendime). Kemi dëshmuar një ritëm të lartë dhe qëndrueshëm vendimmarrjeje me theks të veçantë në reforma ligjore.

Siç e dimë, janë liberalizuar vizat me Zonën Schengen, dhe tani pasaporta e shtetit tonë është më e fortë se kurrë. Është përmirësuar imazhi i vendit duke u ranguar në top lista për siguri dhe rend, siç ishte ajo e institutit Gallup International, dhe kemi siguruar edhe vlerësimin kreditor sovran 2B minus te Fitch Ratings që nuk është keq për fillim, e gjë që na hap dyer të reja për investime të huaja direkte.

Sot, ne jemi vendi më demokratik në rajon, një arritje kjo si e shoqërisë ashtu edhe e institucioneve tona, të cilat janë të ndërtuara mbi vullnetin qytetar e vlerat demokratike dhe ky standard duhet të ruhet, të mbrohet dhe të avancohet.

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që së pari t’ju falënderoj juve, ata që votuan Lëvizjen VETËVENDOSJE! për edhe një rekord historik të ri kësaj radhe, e t’i falënderoj edhe gjithë ata që i votuan subjektet e tjera, për pjesëmarrjen në zgjedhje, për shprehjen e vullnetit të lirë dhe për përgjegjësinë e lartë qytetare përgjatë gjithë procesit zgjedhor dhe pas tij të treguar pa dallim.

Të nderuar deputetë,

Gjatë këtyre viteve, siç kemi qenë dëshmitarë, jemi përballur me provokime të vazhdueshme dhe me sulme të shpeshta të Serbisë, por, ne veçse e kemi forcuar policinë dhe sundimin e ligjit, ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit. Sfidat u përballuan me sukses, dhe madje, i kemi kthyer në mundësi për progres.

Investuam në ushtri dhe në fuqizimin e policisë, në shtrirjen e sovranitetit dhe në luftimin e kriminalitetit; në politikat sociale për nënat e fëmijët, për të rinjtë e pensionistët, në mbështetje të fermerëve dhe të bizneseve të vogla e të mesme. Prekëm çdo shtresë e çdo qytetar, secilin komunitet e vendbanim, anekënd republikës.

Shteti ynë nuk zgjedh midis zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë sociale dhe sigurisë kombëtare, por i përqafon të tria si shtylla të pandashme të progresit dhe të mirëqenies së përbashkët.

Ne besojmë thellësisht se një ekonomi e fuqishme dhe një shoqëri e barabartë janë të ndërlidhura, se bizneset dhe startup-et nuk janë vetëm motori i rritjes, por edhe kontribues të mirëqenies së përgjithshme.

Vizionin e synimet tona i realizojmë mbi parimet politike dhe mbi vlerat që i kemi mishëruara në Kushtetutën tonë: mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, të drejtat e komuniteteve joshumicë, garantimin e dinjitetit njerëzor dhe barazinë për çdo qytetar, pa privilegje e favore. Këto janë udhërrëfyes për çdo vendim që marrim, për cilëndo reformë që nisim, për secilin aktivitet që bëjmë.

Kosova sot, të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë.

Institucionet tona sot janë edhe më të besueshme e më të qëndrueshme. Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, me NATO-n dhe me vendet mike nga Kanadaja e deri te Japonia, nuk do të lëkundet sepse ky bashkëpunim nuk është thjesht strategji, është vlerë. Sepse ne nuk jemi vetëm pjesë gjeografike e kontinentit evropian, por pjesë e vlerave politike të tij: lirisë, solidaritetit dhe barazisë.

Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë një miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, dhe do të prodhojmë dronët luftarakë “Made in Kosova”.

Do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal mbi bazën e barazisë dhe të përfaqësimit të barabartë, sepse besojmë që fqinjësia e mirë evropiane dhe bashkëpunimi rajonal i kontribuojnë si paqes ashtu edhe sigurisë. Do të punojmë me këdo që shtrin dorën e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ, përmes marrëveshjes tonë bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Por, siç kemi vepruar në katër vitet e kaluara, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe zbatojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi, në çdo cep të vendit.

Të nderuar deputetë, qytetarë, dhe partnerë ndërkombëtarë,

Në mandatin që po shkon Kosova dëshmoi se është shembull i demokracisë dhe i zhvillimit në rajon, me rritjen më të madhe ndonjëherë në të gjithë indikatorët e demokracisë.

Tani është koha të tregojmë se jemi shembull i inovacionit dhe i drejtësisë efikase.

Në këtë mandat, reforma në drejtësi do të hyjë në fazën e saj vendimtare. Do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore gjithandej republikës.

Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme.

Do të themelohet Prokuroria e re e specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore.

Do të thellohet reforma në transformimin digjital. Çdo qytetar duhet të ketë mundësi të komunikojë me shtetin pa barriera, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe transparente, që nga aplikimi për dokumente, deri te shërbimet sociale dhe biznesore. Digjitalizimi është mjet për t’i shërbyer çdo qytetari dhe do të përdoret për progres shoqëror, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, llogaridhënie të gjerë dhe cilësi të lartë.

Në mandatin që po lëmë pas, eksportet dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan por tani është koha të shumëfishohet prodhimi. Përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët. Pra, do të vëmë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane, të cilat shërbejnë si hipotekë për të garantuar investimet private në fabrika dhe në prodhim.

Do ta themelojmë Bankën Zhvillimore, projekt që tashmë është negociuar me Bankën Botërore në vlerë prej 50 milionë eurosh, për të mbështetur zhvillimin industrial dhe ndërmarrjet prodhuese. Trepçën do ta rikthejmë në funksion të zhvillimit, përmes investimeve të reja dhe të mëdha strategjike, në bashkëpunim me një kompani me renome nga vendet mike, duke e kthyer atë në motor të ekonomisë sonë. Do të ndahet një fond prej rreth 50 milionë euro për skanimin e plotë të burimeve tona natyrore dhe futjen e tyre në ekonomi në funksion të zhvillimit.

Bjeshkët tona të larta e të bukura nuk do të shijohen vetëm nga larg, por do të përjetohen nga afër duke investuar në turizëm malor. Kjo do të fillojë me 500 milionë euro për Brezovicën e cila do të transformohet në destinacion ndërkombëtar e evropian të turizmit, ashtu sikurse edhe resorti i ri i skijimit në Dukagjin.

Mërgata tashmë është pjesë jo vetëm në politikat e qeverisë por është pjesë e bërjes e atyre politikave. Përmes “Dritares për investime të diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga diaspora deri në 100 milionë euro investime që bëhen në Kosovë. Mërgata tashmë është pjesë e politikave të qeverisë dhe ajo do të jetë e pranishme në dikasteret ekzekutive të qeverisë së re.

Termocentrali “Kosova B” do të modernizohet, ndërsa Termocentrali “Kosova A” do të rehabilitohet thellësisht, në mënyrë që të rritet siguria e furnizimit dhe të ulet ndjeshmëria ndaj krizave eventuale nga jashtë. Kapacitetet nga era do të rriten më shumë se dyfish, në 305 MW nga 135 MW sa janë aktualisht. Pastaj, kapacitetet diellore fotovoltaike do të rriten më shumë se tetëfish, në 250 MW nga 30 MW sa janë tani.

Do të bëjmë implementimin e sistemit të baterive me kapacitet 170 MW për dy orë, energji e gjithmbarshme 340 MWh që do të rrisë fleksibilitetin e rrjetit. E më së largu deri në fund të mandatit, si rezultat i këtyre investimeve:

• kapacitetet e instaluara të energjisë elektrike do të rriten për më shumë se 70%, apo 100%, duke përfshirë edhe bateritë për ruajtje të energjisë;

• Kosova do të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike;

• eksporti i energjisë elektrike, në raport me konsumin, do të tejkalojë deri në 30%, ndërkaq për konsumatorët e shërbimit universal më pak se 7% e konsumit do të importohet;

Do të ndërtojmë sisteme të reja të ngrohjes qendrore. Gjatë mandatit do të përfundojë dyfishimi i kogjenerimit në Termocentralin “Kosova B”.

Përveç fokusit te burimet e ripërtërishme të energjisë dhe te efiçienca e energjisë, për të ulur ndotjen dhe rritur kursimin, në mandatin që na pret, do të angazhohemi për përdorimin e burimit më të vlefshëm që kemi, linjitit, për kapacitete të reja energjetike me teknologji moderne gazifikimi, e cila ndot më pak. Ky do të jetë projekti më i rëndësishëm në dekadat që do të vijnë.

Siguria nuk është vetëm energji. Siguria është edhe ujë. Një shtet i sigurt është një shtet që garanton ujë të pijes për qytetarët e tij. Në kuadër të sigurisë kombëtare, ne do të investojmë 400 milionë euro për të ndërtuar pesë diga të reja, në Dragaqinë, në Firajë, në Desivojcë, në Pollatë dhe në Kuqicë, të cilat do të mbledhin dhe menaxhojnë burimet ujore. Përmes këtyre investimeve do të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes për të gjithë qytetarët e amvisëritë, do të rrisim potencialin për bujqësi intensive dhe do të rrisim rezistencën tonë ndaj ndryshimeve klimatike.

E për gjithë progresin që është bërë në zvogëlimin e pabarazisë përmes shtesave për lehona dhe fëmijë dhe për fuqizimin e grave dhe rinisë, do të fillojë edhe projekti “Super Puna për gratë”, ashtu që kur punësohet një grua, qeveria do të mbështesë në lartësinë e pagës minimale 500 euro për gjashtë muaj.

E gjyshërit që kujdesen për fëmijët kur të dy prindërit janë në punë do të marrin 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin bazë. Sepse kësisoj jo vetëm ndihmojmë prindërit dhe gjyshërit, por ndihmojmë familjen dhe ekonominë. Ngritet kërkesa agregate nga poshtë dhe rriten veprimtaria dhe qarkullimi dhe ekonomia gjithnjë e më lartë.

Paga minimale do të ndjekë rritjen ekonomike. Nga 1 janari ajo është 425 euro, kurse në nivelin e 500 euro nga 1 korriku sivjet, sepse një Kosovë që zhvillohet nuk duhet të lë askënd mbrapa. E paga minimale do të lirohet nga tatimi. Kjo nënkupton që edhe për biznesin e vogël individual, 6,000 eurot e para të fitimit vjetor do të jenë të liruara nga tatimi. Pjesëmarrja nënkupton gjithëpërfshirje.

Në arsim, kemi filluar reformën më të thellë në dekada. Nga arsimi i hershëm deri tek ai universitar, po krijojmë standarde të reja cilësie dhe po rrisim investimet në infrastrukturë e në kapacitetet mësimore, dhe mësimdhënëse e mësimnxënëse. Janë ndërtuar dhe rinovuar çerdhe e shkolla, janë hapur qendra për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe arsimi po lidhet me nevojat e tregut dhe realitetin e sotëm përherë e më të ndryshueshëm. Ne duam arsim që ndihmon nxënësin të mendojë, të krijojë, të punojë, të zhvillojë e të ndërtojë. Kemi ngritje të konsiderueshme në rangime ndërkombëtare të universiteteve publike të Kosovës.

Do të vazhdojë me prioritet të lartë mbështetja për edukimin e hershëm. Vendi ynë ka 108 mijë fëmijë nga 1 deri në 5 vjeç. Krahas rritjes së përfshirjes së tyre në çerdhet publike, do të nisë edhe sistemi i bonove për prindërit që vendosin t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe jopublike. Synimi ynë është që në ciklin parafillor të përfshihen të gjithë fëmijët të moshës 5 deri në 6 vjeç. Aktualisht, në vendin tonë janë 20 mijë fëmijë të kësaj moshe.

Programi i ri për progresin gjeometrik të cilësisë në arsimin e mesëm ofron mundësinë që profesionistë me doktoratura dhe me kualifikim të lartë të japin mësim në shkollat e mesme anekënd vendit. Për çdo profesionist të tillë që pranohet si mësimdhënës në shkollat e komunave më të largëta, do të ketë një bonus të veçantë si nxitje dhe vlerësim për punën e tyre. Do të hapen 5 gjimnaze të specializuara në të gjithë Kosovën, të dedikuara për fushat që fuqizojnë cilësinë e shkollimit të mesëm dhe të ardhmen profesionale.

Do të vijojë dhe thellohet procesi i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha teksteve shkollore. Nga gjuha dhe matematika, që i rishikuam tashmë, do të vazhdojmë me të gjitha tekstet tjera për arsimin parauniversitar. Për disa lëndë, do të nisë përkthimi dhe digjitalizimi i materialeve shkollore.

Do të vazhdojmë të rrisim qasjen në shëndetësi, edukim dhe siguri sociale, duke i bërë këto shërbime publike që janë obligime qeveritare më efikase dhe më të qasshme për secilin. Çdo qytetar i yni do të ketë mjekun familjar dhe do të jetë brenda Regjistrit të kujdesit parësor shëndetësor. Prej këtij viti fillon plani për kontrollin dhe mbikëqyrjen shëndetësore për çdo qytetar. Brenda vitit, secili e secila do të ketë një kontroll të plotë mjekësor. Sistemi, i njohur si check-up, do të parandalojë, ndihmojë dhe mbështesë çdo rrezik që vjen nga problemet shëndetësore.

Në mandatin e ri do të decentralizojmë në tërësi shërbimet shëndetësore. Do të ndërtojmë spitalin e ri në Mitrovicë dhe në Ferizaj. Poliklinikat specialistike do të ndërtohen në Drenas, Sharr, Viti, Rahovec dhe Leposaviq. Modelin e keni tashmë në Podujevë. Do të hapim poliklinikat specialistike stomatologjike në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë. E, për listën esenciale të barnave, buxheti do të rritet deri në 100 milionë euro.

Mandatin që e përfunduam, fermerët e Kosovës i bëmë më të mbështeturit në rajon. Dëshmi për këtë janë mbi 120 mijë fermerë që përfituan mbi 300 milionë euro në grante dhe subvencione. Në mandatin e ri, përqendrimi ynë do të jetë në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, përmes mbështetjes së investimeve në teknologji dhe në rrjetëzimin e mbledhjes dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore. Të gjitha prodhimet e fermerëve do të përkrahen për standardizim, certifikim dhe shitje. Çdo prodhim i standardizuar dhe i certifikuar do të ketë treg të garantuar. Prodhimet tona të certifikuara do të jenë të mbrojtura me ligj, si brenda vendit ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Do të hapet mundësia për aplikim për grante gjatë gjithë vitit. “Karta e-Fermeri” do të ketë identitet dhe integritet të mbrojtur. Ajo do të jetë e sigurt për blerjen e inputeve, marrjen e këshillave, përfitimin e subvencioneve, qasjen në financa dhe deri te shitja e prodhimit. Karta garanton që blerja e pesticideve, plehrave dhe farërave të jetë e duhura dhe e saktë, në sasi e në cilësi, për secilin fermer dhe për çdo kulturë që kultivon.

Do të përkrahim iniciativat kulturore dhe sociale që forcojnë ndjenjën e bashkësisë së komunitetit dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve në jetën publike, përfshirë këtu edhe infrastrukturën sportive të cilën po e ndërtojmë për ngjarjen madhështore të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në sport, do të investojmë 250 milionë euro për ndërtimin a rinovimin e 20 stadiumeve të futbollit anembanë Kosovës, për të siguruar infrastrukturën e nevojshme sportive për të rinjtë tanë.

Projektet e mëdha infrastrukturore të mandatit të ri janë sigurimi i lidhjes me koridoret kryesore rrugore, përmes përfundimit të autostradës së Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe kyçjes në “Korridorin 1”. Më tej, përfundimi i rrugës që lidh Prizrenin me Tetovën. Pastaj, ndërtimi i rrugës së Dukagjinit, e cila lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin me Pejën dhe Istogun. Rrugët Dollc – Gjakovë dhe Kijevë – Zahaq do të finalizohen, krahas rehabilitimit dhe modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale. Projektet infrastrukturore janë mjete që i lidhin njerëzit me punën, prodhuesit me tregun dhe vendin tonë me të ardhmen. Duke përfunduar rrugët që kemi nisur dhe duke filluar projekte të reja strategjike: Unazën e Prishtinës, Autostradën Gjilan-Prizren nga Banulla në Qafë të Duhlës, dhe Magjistralen e Dukagjinit, ne po ndërtojmë infrastrukturën e cila i jep kuptim zhvillimit, që shpërndan begatinë në çdo rajon dhe që e bën shtetin funksional për çdo qytetar.

Në mandatin e ri do të fillojmë më ndërtimin e linjës hekurudhore Gjakovë – Shkodër në kuadër të asaj Prishtinë – Durrës, dhe do të projektojmë linjën hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin. E nisim po ashtu përgatitjen të linjës Prishtinë – Aeroport Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Të gjitha zotimet tona do t’i përmbushim, nga valuta digjitale, e bazuar në blockchain, te heqja e taksës doganore prej 10% për veturat e importuara nga shtetet e Bashkimit Evropian; nga zhvendosja e datës së pagesës së detyrimit të TVSh-së në muajin pasues nga muaji kur lind detyrimi doganor në kufi, te arkat fiskale digjitale dhe fatura elektronike biznes-biznes; nga ligji për çmimet tavan të produkteve bazë te Parqet, Qendrat dhe inkubatorët e inovacionit, teknologjisë dhe biznesit; pastaj nga angazhimi intenziv për statusin e vendit kandidat në BE tek ai për anëtarësim në NATO; nga bileta mujore e integruar e Programit “Anembanë” 10 euro në muaj, te kthimi me automatizëm i shtetësisë së Kosovës për pjesëtarët e mërgatës; nga themelimi i Gjykatës për Çështje Familjare te Zyra për Hetime Disiplinore; nga pensionimi i parakohshëm i policëve i shkallëzuar sipas moshës dhe profileve te përmirësimi i sistemit të gradave në Policinë e Kosovës; nga industritë kreative ku janë parashikuar 200 milionë euro investime, te ekzekutimi vjetor i investimeve kapitale mbi 1 miliard euro secilin vit si standard i qeverisjes; nga njësia Ushtarake e Përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë te së paku 1000 gra e vajza ushatarake në FSK e të tjera.

Të nderuar deputetë dhe të gjithë ju të tjerë të pranishëm,

Të dashur qytetarë,

Në vijim po paraqes para jush edhe kabinetin e ardhshëm qeveritar me të gjitha dikasteret me ekzekutivin që del nga kjo legjislaturë e nderuar:

-Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca;

-Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla;

-Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka;

-Ministër i Financave, Hekuran Murati;

-Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti;

-Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

-Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla;

-Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu;

-Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia;

-Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku;

-Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci;

-Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi;

-Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani;

-Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli;

-Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja;

-Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha;

-Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari;

-Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli;

-Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq;

-Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.

Mandati të cilin po e kërkojmë është mandat pune, drejtësie dhe dinjiteti për secilin. Mandat sigurie dhe begatie për të gjithë. Ju falemnderit për vëmendjen e deritanishme dhe paraprakisht për mbështetjen tuaj.

Të ngjashme