Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë për përmbylljen e seancës konstituive dhe zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe pesë nënkryetarëve, pas një periudhe të zgjatur të krizës institucionale.
Në reagimin e tij, KDI vlerëson se funksionalizimi i plotë i institucionit më të lartë përfaqësues përbën një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit demokratik dhe rikthimit të normalitetit institucional.
“Funksionalizimi i plotë i institucionit më të lartë përfaqësues përbën një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit demokratik dhe rikthimit të normalitetit institucional”, thuhet në reagim.
KDI thekson se Kuvendi mbetet shtylla qendrore e përfaqësimit qytetar, ligjvënies dhe mbikëqyrjes demokratike, duke shtuar se në këtë legjislaturë të re duhet të forcohet roli kushtetues i tij.
“Në këtë legjislaturë të re, presim që të forcohet roli kushtetues i Kuvendit, të rritet cilësia e procesit legjislativ dhe të sigurohet transparencë më e madhe në vendimmarrje”, thekson KDI.
Tutje, organizata kërkon rikthimin dhe fuqizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, si dhe përfshirjen reale të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin legjislativ.
“Veçanërisht, presim rikthimin dhe fuqizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, përfshirjen reale të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe trajtimin me prioritet të reformave të mbetura pezull gjatë periudhës së krizës”, thuhet më tej.
KDI thekson se rikthimi i besimit qytetar në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të monitorojë punën e Kuvendit.
“Rikthimi i besimit qytetar në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik. KDI do të vazhdojë të monitorojë dhe të kontribuojë në forcimin e standardeve demokratike dhe të funksionimit parlamentar”, thuhet tutje në reagim.