UP shënon 56-vjetorin e themelimit, Hajrullahu: Ky universitet asnjëherë nuk u thye

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 12:57 | Nga Gzim Mujaj

Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u theksua roli historik dhe aktual i këtij institucioni në zhvillimin arsimor, shkencor dhe shoqëror të vendit, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ceremoni u vlerësua kontributi i universitetit ndër vite, si dhe orientimi i tij drejt zhvillimit dhe të ardhmes së arsimit të lartë në Kosovë.

Gjatë aktivitetit, përfaqësues institucionalë dhe akademikë theksuan rëndësinë e Universitetit të Prishtinës si shtyllë e dijes dhe formimit profesional, duke nënvizuar edhe reformat dhe mbështetjen institucionale për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Rektori i Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se UP-ja është krenaria dhe e ardhmja e vendit, duke shtuar se institucioni është i orientuar drejt kohës dhe drejt së ardhmes.

“Përvjetorët si ky i 56 janë momente solemne që kalohen me dinjitet, me krenari dhe me reflektim për të kaluarën dhe synimet që kemi për të ardhmen. Që nga themelimi i tij, Universiteti i Prishtinës nuk ishte asgjë e thjeshtë dhe asgjë nuk mund të merrej si e mirëqenë. Ky universitet i krijuar nga fuqia e popullit që e projektoi, arriti të mbijetojë periudha tepër të vështira: diskriminimin e vazhdueshëm të popullit shumicë, aparteidin dhe dëbimin nga objektet universitare gjatë viteve të 90-ta, rezistencën civile dhe të armatosur. Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithmonë vazhdoi rrugën përpara si një flakadan krah për krah me fatin dhe synimet e njerëzve të kësaj toke për një të ardhme më të zhvilluar, më të rritur e më paqësore”, tha ai.

Zëvendësministri në Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, tha se përvjetori i Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës përkujton krijimin e institucionit të parë të arsimit të lartë në Kosovë, i cili sipas tij ishte jo vetëm pishtar i dijes, por edhe faktor i rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Kemi sot këtu për të parë këtë ekspozitë të përgatitur për të kujtuar 56 vjetorin e Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës, i cili për herë të parë në Kosovë krijoi një institucion të lartë arsimor i cili ishte i vetmi atëherë dhe i cili përveç se ishte pishtar i dijes, ai ishte edhe një pishtar i rrugës tonë, i ngritjes dhe i vetëdijes tonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e cila normalisht që u kurorëzua edhe me çlirimin e vendit dhe me arritjen e pavarësisë.

Roli i këtij institucioni të vetëm arsimor të lartë atëherë, ishte i jashtëzakonshëm edhe për ne është nder që pikërisht sot kujtojmë këtë themelim të këtij universiteti. Unë jam i vetëdijshëm për rolin që ka pasur ndër vite ky universitet, i cili më vonë pas viteve të 90-ta është shoqëruar me universitete të tjera, qoftë publike apo private, por atë botë normalisht ishte i pazëvendësueshëm dhe kishte një rol të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Ai shtoi se ministria ka ndërmarrë hapa për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë përmes reformave legjislative dhe rregullative, investimeve në infrastrukturë akademike dhe mbështetjes për studentët përmes arsimit falas dhe bursave të ndryshme, përfshirë ato për fusha STEM dhe kategori të veçanta.

“Andaj si Ministri e Arsimit, të vetëdijshëm për rolin e arsimit të lartë në Kosovë, kemi marrë disa hapa dhe është një punë e vazhdueshme që po bëhet dhe do të vazhdojë sigurisht edhe me kabinetin e ri qeveritar për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Janë bërë reforma të ndryshme, qoftë në aspektin legjislativ dhe rregullativ të universitetit, por edhe mbështetje qoftë direkte për ngritjen e infrastrukturës brenda njësive akademike, brenda fakulteteve, por sigurisht edhe mbështetje direkte për studentët duke siguruar arsimin e lartë falas për të gjitha nivelet e arsimit të lartë, por edhe duke u shoqëruar me bursa të ndryshme, qoftë bursa elitare apo bursa të tjera për fusha STEM, për kategori të veçanta ashtu siç janë personat me nevoja të veçanta, për komunitetet rom, ashkali, egjiptian”, tha ai.

Nënkryetari i Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Fejzullah Krasniqi, tha se që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit intelektual në vend.

Ai theksoi se universiteti ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove që kanë kontribuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore, duke shtuar se ky institucion ka qenë pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet shqiptare dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe aspiratave për zhvillim të qëndrueshëm.

“Që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor, zhvillimit intelektual dhe formimit profesional në vendin tonë. Për dekada me radhë, ai ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove, të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore. Ky institucion i shenjtë i dijes ka qenë qendër për arsimin, por edhe një pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet me popullatë shqiptare, duke kontribuar jo vetëm në ngritjen e tyre në aspektin profesional e shkencor, por edhe në forcimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare dhe aspiratave për liri dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përmes përkushtimit të pa lëkundur të stafit akademik dhe administrativ, si dhe përmes punës së palodhshme dhe ambicies së studentëve, Universiteti i Prishtinës ka dëshmuar vazhdimisht misionin e tij në avancimin e arsimit të lartë”, tha ai.

Të ngjashme