GLPS përshëndet ratifikimin e marrëveshjeve me BE-në, kërkon zbatim të menjëhershëm të Planit të Rritjes

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mirëpritur votimin e sotëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjeve të Facilitetit dhe Huasë mes Kosovës dhe Bashkimi Evropian (BE), duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për rrugën e integrimit evropian.

Në reagimin e tij, GLPS thekson se, ndonëse i vonuar, ratifikimi përbën një moment të rëndësishëm për vendin.

“Ratifikimi përbën një moment të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian të Kosovës dhe hap derën për zbatimin e Agjendës së Reformave, si dhe përftimin nga shtysat financiare të Planit të Rritjes”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij zhvillimi, GLPS i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm teknikë për zbatimin e marrëveshjes.

“GLPS i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që pa humbur kohë, të vazhdohet menjëherë me zbatimin e kërkesave teknike, duke filluar nga themelimi i Komitetit për Monitorimin e Zbatimit të Planit të Rritjes dhe emërimi i koordinatorit kombëtar, hapa të cilët do siguronin ekzekutimin e parapagesës prej 7% të totalit, përkatësisht 61.8 milionë euro”, theksohet më tej.

Sipas organizatës, tashmë nuk ekziston asnjë pengesë legjislative për zbatimin e këtyre masave dhe veprimi i menjëhershëm është thelbësor për përmbushjen e afateve të parapara në kuadër të Agjendës së Reformave.

GLPS ka ngritur shqetësimin edhe për vonesat në raportim dhe afrimin e afateve të grejs periudhës.

“Duke qenë se afatet primare për raportimin e tre semestrave tashmë kanë kaluar, GLPS u bën thirrje për një shtysë serioze Qeverisë dhe Kuvendit për zbatim sa më të shpejtë të këtyre masave duke qenë se janë afruar afatet e grejs periudhës”, thuhet në reagim.

Organizata thekson se rëndësi të veçantë kanë masat reformuese të qershorit 2025, afati për të cilat përfundon më 30 qershor 2026.

“Këto përfshijnë 13 masa për të cilat janë alokuar gjithsej 90.7 milionë euro. GLPS rekomandon themelimin e një task force për koordinim në shërbim të zbatimit të menjëhershëm të këtyre masave, duke pasur parasysh se mbi dy të tretat e grejs periudhës për to tashmë janë konsumuar”, theksohet në komunikatë.

GLPS u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike për unifikim në funksion të përshpejtimit të reformave.

“Për fund, GLPS i bën thirrje të gjithë spektrit politik për unifikim në funksion të përshpejtimit të procesit të zbatimit të këtyre reformave. Kjo është jetike, sepse me zbatimin e tyre, nga njëra anë vendi ynë përfiton financiarisht, ndërsa nga ana tjetër përafrojmë kuadrin ligjor, politik dhe administrativ me acquis të BE-së. Pas një viti të humbur me përplasje politike, tani është momenti për reforma të shpejtë dhe të vendosura. Si organizatë, GLPS do të vazhdojë monitorimin dhe avokimin për zbatimin e këtij Plani”, thuhet tutje në reagim.

Të ngjashme