Suspendohet drejtori i Shkollës ‘Pavarësia’

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Një ditë pas publikimit të videoincizimit në të cilin shihet Halil Brahaj, drejtori i Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, duke e godit shuplakë nxënësin e klasës së nëntë, ai është suspenduar nga puna.

Këtë e ka deklaruar Samir Shahini, drejtori i Arsimit më 13.02.2026. Sipas Shahinit, për Brahajn ka suspendim administrativ, ndërsa është duke u trajtuar në Komision Disiplinor.

E njëjta formë e suspendimit vlen edhe për arsimtarin Abaz Kadriu, e ka konfirmuar Shahini. Kadriu po ashtu po trajtohet në Komision Disiplinor, pasi u pa në një material të datës 09.02.2026 duke e godit nxënësin e njëjtë që e ka goditur edhe Brahaj.

Gjithashtu është pyetur Rinor Bajramin, avokatin e Brahajt në lidhje me suspendimin e klientit të tij nga puna. Po ashtu e ka pyetur edhe Lirim Ismailin, avokatin e Kadriut.

Të kontaktuar edhe përmes telefonit, të dy avokatët nuk kanë qenë të qasshëm. Janë pyetur edhe me shkrim, por nuk kanë dhënë përgjigje deri më tani.

Rasti ku shihet drejtori se e godet shuplakë nxënësin, kishte ndodhur në korridorin e shkollës.

Drejtori Halil Brahaj, i kontaktuar, e ka mohuar ngjarjen, ndërsa pas denoncimeve kuptoi se nxënësi u kishte thënë hetuesve të Policisë se ai ishte sulmuar edhe nga drejtori.

“Jo, e nderuar. Se jam duke e përgatitë ditën e shkollës, e kemi të hënën”– ka thënë Brahaj më 11.02.2026.

Duke përdorur burime të mirëkonfirmuara, u siguruan pamjet filmike të incidentit. Aty shihet se drejtori i shkollës takon nxënësin në ambientet e tualetit të shkollës e më pas gjatë lëvizjes në korridor e godet nxënësin.

Samir Shahini, drejtori i Arsimit në Prishtinë, kishte deklaruar se ende nuk kanë ndonjë informacion për këto pretendime.

Sipas Shahinit, raportin me shkrim të Brahajt për ngjarjen e ndodhur më 09.02.2026 e kanë vlerësuar të pa plotë dhe i kanë kërkuar që ta plotësoj.

“Për këtë ngjarje të sjelljes së drejtorit nuk kam informata, as dëshmi, as prej raportit të shkollës, as prej komisionit që ka shku atje. Sigurisht, nëse është në tentativë me e fshehë drejtori edhe s’ia ka nda as komisionit komunal, as nuk e ka qit në raport të vet. Atëherë, ai duhet me i bartë pasojat njëjtë sikur mësimdhënësi.” – kishte thënë Shahini, më 12.02.2026.

Pretendimet e nxënësit e kanë bindur Prokurorinë e Prishtinës, e cila i zgjeroi hetimet në lidhje me rastin e dhunës fizike që ndodhi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë më 09.02.2026.

Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prishtinës, e konfirmoi për KALLXO.com se në këtë rast është i dyshuar edhe Halil Brahaj, drejtori i Shkollës.

Brahaj në profilin e tij në Facebook reagoi duke thënë se ngjarja e ditës kritike është kulmim i kanosjeve, sharjeve dhe fyerjeve të vazhdueshme të pranuara nga nxënësi.

“Siç kam deklaruar edhe sot në Polici, kanosja e nxënësit ndaj meje është raportuar para ditës kritike, përkatësisht më datë 5 shkurt 2026, ku i njëjti përveç se më kishte fyer, sharë me nënë, motër, grua dhe mbi të gjitha edhe me vajzën time 2 vjeç e gjysmë më kishte kanosur edhe me vrasje”- ka thënë Brahaj, më 12.02.2026.

“Në ditën kritike, pas fyerjeve dhe një tjetër kanosjeje direkte për jetë, reagimi im ka qenë momental, në gjendje tronditjeje dhe nën një ngarkesë emocionale të papërballueshme, kur më kap në dorën e majtë dhe thotë “ka me ta q… qikën e vogël  e të bukur që e kishe dhe ka me t’vra”” – ka shtuar Brahaj.

Mësimdhënësit Abaz Kadriu që u arrestua pas rastit të dhunës fizike në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë i është shqiptuar masa- paraqitja në stacion policor në kohëzgjatje prej një muaji me vendim të Gjykatës.

Këtë e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Divizioni për Çështje Penale përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe të pandehurit A. K. i ka shqiptuar masën Paraqitja në stacion policor, në kohëzgjatje prej një muaj”- ka thënë Mirlinda Gashi, më 11.02.2026.

Abaz Kadriu është kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com më 11.02.2026, por ai e ka mbyllur telefonin pasi i është kërkuar të jap versionin e tij në lidhje me rastin. Më pas, KALLXO.com e ka telefonuar disa herë, por nuk e ka hapur telefonin.

As avokati i tij, Lirim Ismaili, nuk ka dhënë informata në lidhje me rastin e dhunës, me arsyetimin se janë në fazën e hetimeve. /kallxo.com

Të ngjashme