Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Prishtinë | 16 Shk 2026 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. Deklarimi i tyre u bë gjatë seancës fillestare, pasi prokurori special Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi palët se mbrojtja ka të drejtë që brenda 30 ditëve të paraqesë kundërshtime ndaj provave apo të kërkojë hedhjen poshtë të aktakuzës.

Seanca u mbajt pasi Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, refuzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit Kodraliu nga rasti. Një kërkesë e tillë ishte paraqitur edhe në seancën e 24 dhjetorit 2025, çka kishte çuar në ndërprerjen e saj.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 9 dhjetor 2025 për sulmin e ndodhur më 29 nëntor 2024, ku sipas saj, të akuzuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishin vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv (TNT) në kanalin e Ibër-Lepencit. Sipas pretendimeve, lënda shpërthyese ishte vendosur në brendësi të kanalit dhe ishte aktivizuar me fitil me ndezje të ngadalshme, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në infrastrukturë.

Si pasojë e shpërthimit, thuhet se pati ndërprerje të furnizimit me ujë për disa komuna, u ndikua furnizimi me ujë për KEK-un dhe u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike në vend. Dëmet materiale të shkaktuara ndaj ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” vlerësohen mbi 376 mijë euro.

Të akuzuarit përballen me veprat penale që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues dhe kryerjen e veprës terroriste. Përveç kësaj, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrolleve në pronat e tyre janë gjetur armë dhe pajisje të ndryshme ushtarake, përfshirë pushkë automatike, granata dore, municion dhe pajisje të tjera.

Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzë për spiunazh. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se kishte mbledhur dhe siguruar dokumente të klasifikuara, përfshirë materiale të KFOR-it, si dhe kishte vëzhguar lëvizjet e ushtarëve amerikanë dhe objekte të sigurisë në veri të vendit, me qëllim që këto informacione t’ua përcillte autoriteteve në Serbi.

Ndërkaq, Igor Dimoviq akuzohet veçmas për posedim të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur disa karikatorë, një fishek, thikë dhe uniforma ushtarake.

Të gjitha provat e sekuestruara janë marrë nga Policia e Kosovës, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me fazat e tjera procedurale në javët në vijim.

Të ngjashme