Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sot para gjykatës

Prishtinë | 26 Shk 2026 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do paraqitet sërish sërish sot në sallën e gjyqit.

Në seancën e mbajtur më 15 janar, prokurorja Firkije Fejzullahu deklaroi se pas administrimit të provave do të arrihet zbardhja e plotë e gjendjes faktike dhe provimi i fajësisë së të akuzuarve.

Ajo theksoi se Krasniqi, pa kontrata apo autorizime ligjore, kishte kërkuar udhëzime dhe referenca nga i akuzuari Isuf Zejna lidhur me tenderimet e KEK-ut, si dhe kishte autorizuar në mënyrë të kundërligjshme Dejona Mihalin të jepte opinione dhe vendime për to.

Sipas prokurores, do të vërtetohet qëllimi dhe dashja për kryerjen e veprave penale dhe dëmi i shkaktuar ndaj KEK-ut dhe qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga, ka thënë se Prokuroria po dramatizon veprimet e të akuzuarit, të cilat sipas tij janë thjesht veprime menaxheriale.

Ai theksoi se nuk janë përmbushur elementet objektive të veprës penale, pasi askush nuk ka përfituar jashtëligjshëm dhe nuk është dëmtuar.

Mbrojtja tha se Krasniqi ka vepruar gjithmonë në interes të ndërmarrjes dhe për të përmbushur detyrat në afat rekord.

Vetë Krasniqi ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.

Sipas aktakuzës, ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

Gjykata Themelore më 23 prill 2025 pati aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke hedhur aktakuzën për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa pjesa tjetër u rikualifikua në “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën dhe ka vendosur që procedura penale për pesë vepra penale ndaj Krasniqit të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës.

Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar, ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”.

Të ngjashme